INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Thatësira: Fierza drejt krizës, importohet 80% e energjisë elektrike

Thatësira: Fierza drejt krizës, importohet 80% e energjisë elektrike

Publikuar më: 15:34 07-08-2017

Përveç zjarreve thatësira po rrezikon dhe prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet. Nga të dhënat e fundit thuajse 80 përqind e energjisë elektrike që hidhet aktualisht në rrjet vjen nga importi. Thatësira e tejzgjatur ka shterruar nivelin e Fierzës, që të hënën zbriti nën kuotën më të ulët të shfrytëzimit dhe po prodhon me kapacitet minimal.
Sipas KESH, niveli në Fierzë aktualisht është 269 metër. Për të mos lejuar rënien e rezervës, Koorporata po përpunon vetëm prurjet natyrale, prej 20 m3/sek. Kjo sasi energjie shkon për të mbuluar nevojat e OST-së për ruajtjen e parametrave teknikë dhe humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shumë pak për furnizimin me energji.
Duke marrë shkas nga kjo situatë, OSHEE po përgatit një tjetër procedurë për import për muajin gusht, që synon blerjen e 30 mijë megavat/orë, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta. Në këto kushte thatësire, vendi rrezikon varësi totale nga importi duke bërë që blerja e energjisë do të tejkalojë mundësitë financiare të OSHEE-së, duke kërkuar deri edhe ndërhyrjen e buxhetit të shtetit.
Vetëm për muajin korrik dhe gusht, OSHEE shpenzoi 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Por procedura e re pritet të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të periudhës aspak të favorshme të çmimeve në bursë.

Article Logic
Execution time: 0.0042319297790527