INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Theresa May euforike: Të ruash nervat në konfliktin me BE për Brexit

Theresa May euforike: Të ruash nervat në konfliktin me BE për Brexit

Publikuar më: 10:37 04-10-2018

Me muzikën e Abba-ve në skenë gjatë fjalimit të saj parimor në përfundim të kongresit të konservatorëve Theresa May sivjet pati më shumë fat se sa më 2017. Para një viti ajo dështoi prej zërit, pasi ishte e ftohur, një plangprishës ia doli të arrijë deri në pultin prej nga ajo fliste dhe germat e sloganit të partisë ranë nga muri. Kësaj here gjithçka shkoi fjollë, të paktën teknikisht. Për habi të publikut kësaj here kërceu në pultin e referuesit një kryeministre me humor të mirë nën tingujt e Abba-ve "Dancing Queen". "Ka disa gjëra nga kongresi i fundit i partisë, që nuk dëshiroj t'i harroj", bëri shaka Theresa May. "Por unë gjithmonë do të kujtoj ngrohtësinë njerëzore, që kam ndjerë në sallë. Ju me keni mbështetur gjatë gjithë kohës mua."
"Ëmbëlsira për në fund"
Sa i përket përmbajtjes kryeministrja përpiqej ta bindte partinë e përçarë për rrugën e saj të Brexit-it. Ajo donte t'u jepte mbi 10.000 pjesëmarrësve në kongresin e partisë një mesazh optimist para se të ktheheshin në zonat e tyre ne vendin thellësisht të pasigurt. "Unë besoj me pasion, që ditët tona më të mira do të vijnë paskëtaj dhe që e ardhmja jonë është shumë premtuese", tha May në Birmingham. "Mos lejoni t'ua prishin mendjen, që ne nuk mund t'ia dalim. Ne kemi gjithçka, që na duhet për të qenë të suksesshëm." Ajo nuk e përmendi kritikën e ashpër të kundërshtarit të saj në parti Boris Johnson lidhur me strategjinë për Brexit. Por ajo e hodhi poshtë idenë e tij për një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, që do ta shkëpuste Irlandën e Veriut nga Britania e Madhe. Këtë ajo nuk do ta lejojë kurrë, tha Theresa May.
May nuk i bën ofertë BE-së.
Ajo vazhdon t'i përmbahet kursit të saj për ta bindur BE-në për planin e saj "Chequers", që parashikon qëndrimin e pjesshëm të industrisë britanike në tregun e brendshëm të BE-së. Planin që u dërgua në korrik nga rezidenca e qeverisë britanike Chequers BE-ja e ka hedhur poshtë disa herë si të rrezikshëm për unitetin e tregut të brendshëm europian, më së fundi ky plan u refuzua edhe në samitin e Salcburgut, që ishte i turpshëm për Theresa Mayn.
Propozime se si mund të ndryshojë ky plan, May nuk bëri. Por ajo nuk e përmendi më emrin Chequers dhe e quajti propozimin e saj tani edhe si marrëveshje për tregtinë e lirë. "Ajo që ne propozojmë është një sfidë për BE-në. Por nëse ne qendrojmë bashkë dhe ruajmë qetësinë, atëherë e di, se do ta arrijmë një marrëveshje, që do t'i shërbejë Britanisë." Theresa May pret që BE të lëshojë pe. Sipas saj Britaninë e Madhe jashtë BE-së e pret një botë, që patjetër do të hyjë në biznes me britanikët, theksoi ajo plot entuziazëm. "Britania e Madhe nuk ka frikë që të largohet pa marrëveshje nga BE-ja.
Partia e përçarë duhet bashkuar
Shumë të deleguar kërkuan daljen në fund të marsit 2019 pa asnjë marrëveshje me BE-në. Një tjetër krah i partisë paralajmëron për pasojat e mundshme dramatike për ekonominë britanike. "Më në fund BE-ja do të lëkundet ose do të bjerë dakord për një marrëveshje kalimtare për qarkullimin e mallrave, për fluturimet ajrore dhe për sektorë të tjerë pak para daljes për të cilën është rënë dakord", mendon delegatja Molly Jails nga Stratford-upon-Avon. "Nuk varet as prej asaj, nëse Theresa May ose Nëna Theresa i drejton bisedimet Brexit. E rëndësishme është, që tani të bëhet një politikë e qartë", kërkon Jails. Ka "një mosbesim të thellë" ndaj kursit të deritanishëm të kryeministres. Theresa May u përpoq ta qetësojë bazën me një sërë premtimesh përtej Brexit-it. Duhet të ndërtohen më shumë shtëpi me çmime të favorshme. Nuk duhet të rriten taksat për karburantet. Shërbimi kombëtar shëndetësor do të mbështetet me një injeksion financiar prej 200 milionë eurosh, për të "përballuar dimrin", premtoi ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock. Një referendum i dytë për Brexit përjashtohet. Një referendum të dytë, që mund ta ndalojë Brexit, nuk do të ketë, tha në sallë Theresa May. "Ky do të ishte një mashtrim ndaj demokracisë. Njerëzit kanë vendosur."
Vendimi në 14 ditë
Kryeministrja i dha kurajë partisë së saj. Në Birmingham askush nuk u dha kurajë kundërshtarëve të saj për ta sfiduar hapur dhe për ta rrëzuar atë. Por kjo mund të ndryshojë, kur parlamenti britanik pas disa javësh duhet të votojë për marrëveshjen e Brexit me BE-në. "Ne duam një deal", siguroi një ditë më parë presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker në Parlamentin Europian. "Kush flet për një skenar No-Deal, nuk i di vështirësitë që mund të sjellë kjo situatë", paralajmëroi Juncker. Kryeministrja May kërcënoi në Birmingham edhe një herë, se: nëse BE-ja nuk bën lëshime, nuk do të ketë një deal, pra një marrëveshje. Samiti i ardhshëm me BE-në zhvillohet më 18 tetor në Bruksel. Mes duartrokitjeve të të deleguarve May tha, se ajo pret që Britania e Madhe të trajtohet me "respekt", ndryshe nga sa ndodhi në Salcburg.
Marrë nga DW

Article Logic
Execution time: 0.003741979598999