INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tifozëve kuq e zi u paska mbetur “hatri” me policinë e shtetit!

Tifozëve kuq e zi u paska mbetur “hatri” me policinë e shtetit!

Publikuar më: 14:44 16-11-2016

Nga Ilir Kazaferi

Tifozëve kuq e zi u ka mbetur “hatri” me policinë e shtetit! Ata kanë vendosur të bojkotojnë çdo ndeshje brenda territorit shqiptar, përfshirë këtu edhe atë me Lihtenshtejnin. Por, a e ndihmon kjo futbollin tonë?

Shkak është bërë kontrolli i tepruar sipas tyre në ndeshjen me Izraelin, përfaqësuesja e të cilit na imponoi edhe për shkak të sulmeve të mundeshme terroriste, një disiplinë të cilën ne shqiptarët, e etiketuam si të “tepruar”. Por a jemi ne shqiptarët tifozë shembullorë? Kësaj pyetjeje nuk është shumë e vështire për t’iu përgjigjur, mjafton të kujtojme rastet e vandalizmit nëpër stadiume, me shkulje stolash dhe rrahje të arbitrave. 

Por problemi nuk qëndron vetëm në sportin më të ndjekur në botë, futbollin. Mos vallë ne, nuk jemi mësuar ende të respektojmë rregullat dhe bezdisemi kur autoritetet shtetërore  na i imponojnë ato? I gjithi është një proces, me të cilin ne shqiptarët do të mësohemi herët apo vonë, dhe do të buzëqeshim me shprehjen e përdorur rëndom “nuk bëhen shqiptarët” .

Më lejoni t’ju kujtoj se askush pak kohë më parë nuk e vendoste rripin e sigurimit, por pas disa masave nga ana e policisë rrugore, të cilat do t’i quaja “ shpulla “ të konkretizuara në gjoba 15 mijë lekëshe, edhe me pelivanët që shëtisnin me makina të shtrenjta, filluan të sillen konform kodit rrugor dhe si të kulturuar. Mos harrojmë se qytetarët e disa prej vendeve më të zhvilluara europiane nuk lindën të kulturuar, nëpërmjet disiplinës dhe rregullit u bënë të tillë.

Deklarata e tifozëve kuq e zi se do ta ndjekin kombëtaren vetëm në ndeshjet jashtë vendit, flet më shumë se çdo analizë e mundshme apo interpretim i sjelljes së tyre. Me sa duket ne thellë-thellë e duam disiplinën, por na duhet vetëm pak kohë për ta kuptuar apo huazuar atë nga vende të cilët tashmë i kanë vënë pikat mbi “i” në stadiumet e tyre.

Përpara se të sillemi si gjaknxehtë, le të mendojme pak më gjerë, ta mbështesim kombëtaren dhe të mos bëjmë kapriço!

Article Logic
Execution time: 0.0037980079650879