Menduam se koncerti në Prishtinë do të ishte më i bukuri, por në fakt Tirana vërtetoi mbrëmë se ka një publik të mrekullueshëm.
Ndonëse disa minuta me vonesë nga çfarë pritej, Dua Lipa dhuroi për gati një orë në sheshin Nënë Tereza, një super spektakël. Spektakël jo nga ato me balerina, DJ, apo korr nga mbrapa siç jemi mësuar të shohim rëndomtë, por emocione të vërteta me zërin e saj unik. Emocione që prekën edhe vetë këngëtaren 20-vjeçare, të cilës për një moment iu mbushën sytë me lot nga gëzimi. Sa i përket repertorit të zgjedhur, Dua këndoi jo vetëm hitet e saj më të dëgjuara por edhe shumë këngë të reja, pjesë e albumit që sipas këngëtares do të dalë në muajin shkurt!