INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tirana në rrezik/ 48 orë për të paguar, ose 2 sezone përjashtim nga Europa

Tirana në rrezik/ 48 orë për të paguar, ose 2 sezone përjashtim nga Europa

Publikuar më: 13:29 30-01-2017

Kjo është periudha më e zezë që po kalon skuadra e Tiranës. Problemet me tifozerinë dhe me pagesat e prapambetura po e çojnë drejt një kolapsi përfundimtar skuadrën me më shumë trofe në Shqipëri.

Data 31 janar është afati i fundit që bardheblutë duhet të paguajnë një shumë të prapambetur të një futbollisti, i cili është aktivizuar vetëm në ndeshjen miqësore Tirana-Milan, Lek Kcira.

Bëhet fjalë për një lojtar kroat, i cili edhe pse ishte vetëm disa muaj pjesë e skuadrës bardheblu, ndaj tij rezulton një pagesë e prapambetur prej 15.000 eurosh, prej të cilave 5000 janë paguar dhe 10 000 të tjera ende jo. Afati i fundit i pagimit të tyre është data 31 janar dhe nëse edhe për këtë nuk do të merren masat, Tirana nuk do të licensohet për sezonin e ardhshëm shkruan TCH.

Me fjalë të tjera, do të përjashtohet nga kupat e Europës, pavarësisht pozicionit në renditje. Ky është penaliteti që ka kërkuar UEFA, nëse në rastin e pak ditëve më parë kishte kërkuar thjesht moslejimin e lëvizjeve në merkaton dimërore, masë që nuk lejoi Bakajn të luante me Tiranën për pjesën e mbetur të sezonit.

Një situatë që nuk ndihmon aspak klubin bardheblu i cili e gjen veten të pambrojtur nga të gjitha aspektet, financiare dhe sportive. Mungesa e merkatos dimërore e ka penguar përforcimin e ekipit, i cili me gjysmën e lojtarëve që u stërvit në Turqi, pasi gjysma tjetër nuk bëri dot stërvitjen e plotë, do ta ketë shumë të vështirë edhe mbajtjen e zonës së kupave të Europës, sepse çështja e titullit mund të konsiderohet zyrtarisht e mbyllur, nëse nuk do të gënjejnë më veten me shprehjen: "Matematika na e lejon".

Article Logic
Execution time: 0.003957986831665