Tirana vijon të jetë në kërkim të lojtarëve në këtë merkato verore. Mbrojtja dhe mesfusha pothuajse janë kompletuar, gjithashtu dhe sulmi pas dy prurjeve të ditëve të fundit, Offei dhe Jeremias. Megjithatë, ka ende lojtarë të tjerë që pritet të bashkohen.
Padiskutim që Ze Maria është hedhur në sulm për një portier, pasi shëndeti i Ilion Likës e shqetëson dhe nuk i garanton një sezon të plotë. Abibi është në gjendje të mirë fizike dhe teknike, por nuk e garanton plotësisht sezonin i vetëm. Kështu që te Tirana janë të detyruar që të afrojnë një tjetër portier.
Zërat e merkatos dërgojnë në kryeqytet ‘gardianin’ e mirënjohur Shpëtim Moçka. Vlonjati ka luajtur vetëm në elitën e futbollit shqiptar për skuadra si Flamurtari, Teuta, Kastrioti dhe Laçi, teksa nuk do të ishte çudi që të firmoste për Tiranën. Ai luajti titullar në pjesën më të madhe të sezonit të shkuar, ku me ndërhyrjet e tij u tregua vendimtar për të shpëtuar rënien e Teutës në një kategori më poshtë.
Kjo çështje pritet që të ketë zhvillime të reja, pasi mes lojtarit dhe klubit kontaktet kanë qenë intensive. Sa iu përket emrave të tjerë, bardhebluve iu kanë prezantuar edhe portierë të huaj, por që 24-herë kampionët nuk duan ta bllokojnë numrin e të huajve më një portier, ata duan shqiptar, ose të nacionaliteteve kosovare dhe maqedonase për të luajtur me të drejta të barabarta si shqiptarët.