INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tirana qytet europian, paketë aktivitetesh në natyrë për çdo moshë dhe pasion

Tirana qytet europian, paketë aktivitetesh në natyrë për çdo moshë dhe pasion

Publikuar më: 12:31 04-10-2017

Çdo qytetar i apasionuar pas jetës së gjelbër ka mundësi të informohet në kohë reale për çdo aktivitet kulturor, sportiv apo argëtues që do organizohet në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës dhe në të gjitha hapësirat e tjera rekreative në kryeqytet. Bashkia e Tiranës nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe me mbështetjen e UNDP-së, prezantoi sot aplikacionin më të ri “Tirana ime outdoor” që u vjen në ndihmë frekuentuesve parkut për të marrë informacion të përditësuar rreth aktiviteteve të shumta kulturore, sportive, argëtuese, në kohë reale, që zhvillohen në kodrat e liqenit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi faktin që tashmë dy vite pas krijimit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, por edhe investimeve të Bashkisë së Tiranës, Parku i Madh i Liqenit ka marrë një jete tjetër.

“Kemi bërë një ndarje të funksionit: në qoftë se aplikacioni Tirana Ime është mbledhës i halleve të qytetit, duam që Tirana Ime Outdoor të jete hormoni që injekton një tjetër lloj pasioni për gjërat e bukura të qytetit, jo më për hallet, për pusetat, për plehrat dhe për gjithë problemet që mund të kemi, por donim të kishim një aplikacion të qejfit. Në fakt problemi që po kemi sot në Tiranë është komplet i kundërt: sot ka më shumë gjëra që mund të bësh se sa ç’kemi kohë ose sesa mund të jemi njëkohësisht në disa vende, duke përfshirë edhe ditën e sotme ku kemi aktivitete. Aplikacioni ka një menu, sigurisht në shqip edhe në anglisht”, tha Veliaj.

Ai shtoi se sot Tirana i ngjan një qyteti europian dhe një meritë të madhe për menunë e pasur të aktiviteteve në natyrë që ofron e ka Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila siç tha Veliaj ka mundur të injektoje te njerëzit zhvillimin e pasionit për t’u bërë pjesë e sporteve dhe organizimeve të tjera kulturore në park. “Ndoshta Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, por Tirana është një qytet çdo ditë edhe më evropian, në mos 100 % evropian. Kam parë shumë qytete të tjera në Bashkimin Europian, nuk kanë ato që ndodhin në Tiranë dhe kjo ishte paimagjinueshme 2 vite më përpara. Ku ishin këta njerëz më përpara? Mesa duket njerëzit ishin gjithmonë aty, por duhet një katalizator dhe besoj se ashtu si me mënyrën fizike APR-ja ka qenë një katalizator që i ka lidhur këta njerëz bashkë dhe gjithë këta aktorë, besoj se tani kemi edhe një agregator virtual”, shtoi Veliaj.

Veliaj deklaroi se falë përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe rritjes së numrit të organizimeve të ndryshme social-kulturore, është ulur dhe numri i atyre që frekuentojnë kafenetë apo bingot. “Ne kemi 10 mije kafe dhe pika bastesh në Tiranë dhe për herë të parë ka rënë numri i pikave të basteve dhe është rritur numri i këndeve të lodrave dhe i këndeve sportive. Kjo është ajo që quhet pika e kthesës, ku qyteti po kthen dhe nga ambicia e dikujt që të rritet. Nuk ka rëndësi bindjet politike, për kë votuam, unë besoj se ky instrument i jep tani shpejtësi tjetër kësaj pike kthese dhe unë jam këtu që t’i hap luftë kafeve”, tha ai

Kryetari I Bashkisë u ndal dhe në Maratonën e Tiranës e cila tashmë ka nisur rrugën e krijimit të një tradite sportive në kryeqytet. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të regjistrohen dhe të nisin përgatitjet për të marrë pjesë në garën e 15 tetorit, e cila do ta kthejë Tiranën në kryeqendrën e atletikës botërore. “Nuk është vetëm aktivitet sportiv. Është një tjetër produkt turistik për Tiranën. Vetëm fakti që do të kemi disa qindra të huaj, nga Afrika, nga Azia, nga Amerika Latine, nga Amerika Qendrore, Amerika e Veriut, nga e gjithë Europa, është një mënyrë për të sjellë njerëz në Tiranë, por secili prej 1 mijë vrapuesve profesionistë, secili prej tyre sjell bashkëshorten, pastaj edhe fëmijët. Pra është një mënyrë që Tirana të shesë 3 mijë shtretër hotelesh, por pastaj edhe 3 mijë mëngjese, edhe 3 mijë dreka, edhe 3 mijë suvenire, edhe 3 mijë shëtitje. Ndaj më vjen mirë që jo vetëm e kemi aplikacionin anglisht, por edhe aktivitetet që njerëzit mund të planifikojnë”, u shpreh Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku ftoi organizatat dhe bizneset e ndryshme që të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit në qytet, duke dhënë një impakt tepër pozitiv në cilësinë e jetesës së qytetarëve. “Unë besoj që edhe filantropinë po e çojmë në një nivel tjetër. Ne mund të bëjmë një kënd lodrash që do jetë aty 10 vjet dhe falë APR-së që ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen. Unë besoj që është pjekur sot shoqëria dhe biznesi, ku filantropia të marrë këtë lloj forme. Ne sigurisht do të vëmë duke filluar nga ky vit, një buxhet, edhe do të donim që të gjithë, siç filluam kompanitë e para, në parcelat që kemi parashikuar të na bashkoheshit në këtë iniciativë të Pyllit Orbital”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë investimeve dhe vizionit të Bashkisë së Tiranës, këndet e lojërave për fëmijë janë kthyer tashmë në qendra të mirëfillta komunitare, ku njerëzit takohen, bisedojnë dhe kalojnë kohën e tyre. “Këtë frymë të APR në zonat sportive dhe të gjelbra ta injektojmë dhe në qytet dhe besoj të 25 këndet e lojërave që kemi hapur e kanë këtë mundësi. Mjafton të shikoni një pasdite këndet e lojërave, jo vetëm që kanë pastruar disa gjirize, janë kthyer në hapësira jo vetëm për fëmijët, por janë kthyer edhe në hapësira ku shkon një gjyshe dhe thur një çorape teksa sheh nipërit dhe mbesat, një gjysh për një domino me shokët. Pra janë kthyer në hapësira si agora e komunitetit. Në Tiranën urbane këndi i lojërave është vendi tipik i takimit të komunitetit”, shtoi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana tashmë po ofron një paketë aktivitetesh në natyrë për çdo grupmoshë dhe lloji sporti në mënyrë që çdo kush të gjejë veten për të ushtruar pasionin e vet dhe për të bërë gjithashtu një jetë të shëndetshme.

Përmes aplikacionit “Tirana Ime Outdoor” (TIO), qytetarët do të mund të marrin informacion për aktivitetet në natyrë, destinacionet historike turistike të Tiranës, shtigje pedonale dhe çiklistike, informacione mbi kalendarin e aktiviteteve në qytet, mundësi prenotimi për zhvillimin e aktiviteteve në Parkun Sportiv Multidisiplinor, Reja etj. Në këtë kuadër, është ndërhyrë edhe për rikonstruksionin e Info-Pointit në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial dhe për vendosjen e hartës treguese me sinjalistikën e nevojshme, si një vlerë e shtuar e shërbimit që i ofrohet qytetarëve në kuadër të rritjes së cilësisë dhe promovimit të jetesës së gjelbër e të shëndetshme.

Article Logic
Execution time: 0.0044589042663574