INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Tirana smart city”, Veliaj: 4 mijë biçikleta të reja pushtojnë kryeqytetin

“Tirana smart city”, Veliaj: 4 mijë biçikleta të reja pushtojnë kryeqytetin

Publikuar më: 12:43 26-01-2018

Këto ditë, teksa ecni nëpër rrugët e Tiranës, me siguri i keni vënë re disa korsi të reja, ngjyrë tulle, apo punonjës që vendosin trafikndarëse të kuqe përgjatë Bulevardit. Janë korsitë që Bashkia e Tiranës po shtron për mbi 4 mijë biçikletat që do të pushtojnë kryeqytetin shumë shpejt.

Një mjet i lirë alternativ transporti për qytetarët, që do t’i ndryshojë fytyrën Tiranës, e cila me aksionin e mbjelljes së pemëve dhe linjën e autobusëve elektrikë po hyn në fazën e revolucionit të gjelbër.

Segmenti i parë i 10 km korsi të dedikuara biçikletash që ka përfunduar është ai në Bulevardin “Zogu I”. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga një grup të rinjsh, të apasionuar pas biçikletës, inspektoi punimet e kryera dhe theksoi se ky është vetëm fillimi i një projekti që do të vazhdojë të shtrihet edhe më tej.

“Më në fund shohim dallëndyshen e parë të projektit prej 10 km korsi. Ky është segmenti i parë, më shumë sesa 1 km, në të gjithë gjatësinë e Bulevardit ‘Zogu I’, një rrugë ekskluzive, ndoshta rruga më romantike për biçikletat, e rrethuar nga pemë, e mbrojtur nga makinat, si kurrë më parë në Tiranë. Sigurisht, korsia do të lidhet më pas edhe me Bulevardin e Ri, ndërsa nga ana tjetër, kemi sheshin “Skënderbej”, një hapësirë të madhe pedonale për biçikletat. Mandej, do të vijojmë me korsitë e Unazës së Vogël, për të vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku siç e keni parë, jemi duke vendosur trafikndarëset e kuqe, për një korsi ekskluzive biçikletash”, u shpreh entuziast Veliaj.

Ai shtoi se synimi është që brenda një kohe të shkurtër, Tirana të ketë një rrjet minimal korsish të mbrojtura për biçikletat, çka natyrisht do të nxisë edhe më shumë përdorimin e tyre në kryeqytet. “Duam që brenda pranverës të kemi 10 km rrjet minimal korsi biçikletash, pra një rrjet të lidhur nga fillimi deri në fund për pjesën qendrore të Tiranës. Me ardhjen e 4 mijë biçikletave të reja në Tiranë, prej projektit që kemi me Bashkinë e Firences, qytetarët do mund ta përdorin atë më lirë se sa një biletë autobusi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se qytetarët duhet të respektojnë sinjalistikën për korsitë e dedikuara.

“Ndryshimi në kulturë është më i rëndësishëm. Kjo që shohim është një korsi ekskluzive për biçikletat, kurse këmbësorët mund të ecin në trotuar, në të dy anët e rrugës. Sa për shoferët, ata kanë tre korsi, për t’i dhënë makinës dhe për të parkuar. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se pronarë makinash në Tiranë janë vetëm 15% e popullsisë, por zënë 95% të rrugëve. Kjo është e padrejtë sepse pronar i rrugës është edhe ai që ka biçikletë, është edhe ai që ecën në këmbë, edhe ai që merr autobusin; pra, pronarë të rrugëve janë të gjithë qytetarët e Tiranës”, u shpreh ai.

Article Logic
Execution time: 0.0035400390625