INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tjetër kandidat braktis Bashën: Reflektova thellë, kjo është fyese

Tjetër kandidat braktis Bashën: Reflektova thellë, kjo është fyese

Publikuar më: 12:52 29-05-2017

Ky është kandidati i katërt nga lista e Lulzim Bashës që braktis garën elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Bëhet fjalë për kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana i cili është renditur i katërti në listën e Dibrës. Renditja është edhe arsyeja se pse Gjana heq dorë nga kandidimi.

REAGIMI I PLOTË:

Ju njoftoj se dje në mëngjes lajmërova Kryetarin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha se, nuk e pranoj renditjen e emërit tim në vendin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibres.

Këtë vendim e mora pasi të shtunën zhvilluam një mbledhje të kryesisë të PLL, pas shumë konsultimesh me miq e dashamirës të mi dhe të Legalitetit, por edhe pas një reflektimi të thellë mbi realitetin e ri që krijoi marrëveshja Basha-Rama dhe perspektiva e maxhorancës dhe opozitës së ardhshme.

Fakti që unë kam bindjen se pluralizmi politik në Shqipëri është në rrezik dhe se vlerat dhe kauzat e përqafuara dhe mishëruara prej dekadash nga PLL nuk mund të jenë objekt pazaresh meskine e të cilat nuk lejoj që të nëpërkëmben prej askujt, më përforcojnë qëndrimin tim se as Legaliteti dhe as unë nuk mund të shërbejmë si garniturë apo fasadë.

Për më tepër, renditja e kryetarit të PLL në pozicionin e katërt të listës së PD në Qarkun e Dibres, jo vetem që ështe e padenjë dhe fyese për mua personalisht dhe PLL, por është edhe një tregues i qartë se PD nuk e dëshiron prezencën e PLL në Parlament as zërin e shtresave që ne përfaqësojmë, dhe si rrjedhojë as edhe bashkëpunimin me ne.

Besoj se legalistët dhe simpatizantët e PLL do të kuptojnë siç duhet thelbin e vendimit tim që, në vazhdim, do të sqarohet më gjerësisht nga unë por edhe me një deklaratë politike të PLL.

Article Logic
Execution time: 0.003324031829834