Katër ditë më parë e mposhti me përmbysje duke e eliminuar nga Kupa e Italisë, por në kampionat Milani nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë ndaj Torinos.
Një ndeshje shumë emocionuese në “Stadio Olimpico Torino” teksa Milan ka rikuperuar një disavantazh prej dy golave, i cili mund të kishte qenë edhe tre nëse Ljajic do kishte shënuar nga pika e bardhë. Të dy ekipet shënuan nga dy gola, Torino në pjesën e parë e Milan në të dytën, duke dalë nga një ndeshje me një pikë. Milani e nis lehtë ndeshjen dhe pas 26 minutave të para u gjend në disavantazhin e dy golave me autorë Belotti e më pas Benassi, ndërsa Torino humbi edhe një penallti. Por atëherë kur u duk se gjithcka ishte mbyllur për Torinon, Milani u rikthye duke shënuar dy herë me Bertolaccin dhe Baccan. Me këtë barazim, Milani shkon në kuotën e 37 pikëve në vendin e pestë, por me një ndeshje më pak.