Dy persona janë arrestuar nga policia e qytetetit të Fierit në Roskovec, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Policia në Fier, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Street”, ka arrestuar në flagrancë Agron Xhaxhajn, 27-vjeç, dhe Ergent Braçe, 28-vjeç, si dhe janë sekuestruar 7.2 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Agron Xhaxhaj, në momentin që është ndaluar nga uniformat blu, ka kundërshtuar me dhunë efektivin e policisë. Kjo ka sjellë dhe reagimin e uniformave blu, të cilë kanë qëlluar me armë zjarri. Nga konfrontimin, Xhaxhaj është plagosur në këmbë, ndërsa punonjësi i policisë është plagosur lehtë me një mjet prerës.
Operacioni që u zhvillua në lagjen Nr. 2 në Roskovec kapi në flagrancë të dy shtetasit, pasi iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 7.2 kg lëndë narkotike. Mbi dy shtetasit e ndaluar rëndojnë akuzat për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.