Rëndohet bilanci i viktimave në qendrën tregtare në Rusi e cila mbrëmjen e djeshme u përfshi nga flakët.
Mediat raportojnë për rreth 53 të vdekur, 48 të plagosur dhe 16 të zhdukur.
Mediat ruse raportojnë se mes viktimave janë me dhjetëra fëmijë, të cilët kanë qenë në kinemanë e qendrës tregtare, ditën e diel. Deri më tani raportohen 11 fëmijë të vdekur, ndërsa vijojnë kërkimet për
nxjerrjen e trupave të tjerë nga rrënojat që ka shkaktuar zjarri.
Autoritetet raportojnë se mundësitë për të nxjerrë trupa të gjallë janë pothuajse zero dhe për pasojë bilanci tragjik pritet të rritet, pasi zjarri ishte i fuqishëm dhe ka shkrumbuar qendrën tregtare.
Qendra Tregtare u përfshi nga flakët në një kohë kur brenda saj kishte fluks frekuentuesish. Nuk dihet çfarë e ka shkaktuar ngjarjen tragjike.
Në momentin e shpërthimit të zjarrit u evakuan rreth 200 persona ndërsa për të shuar zjarrin u angazhuan 300 zjarrfikës.
Familjeve të viktimave, sipas guvernatorit të Kemerovos, do t’i paguhen secilës 1 milionë rubla apo 17 500 dollarë dëmshpërblim.