"Sot, më 24 Maj 2018, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.
Kolec Topalli ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.
Punën shkencore e ka nisur në fillim të viteve ’70, duke u përqendruar në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ka botuar artikuj shkencorë në disa revista të huaja (Gjermani, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Kroaci etj.); ka referuar në shumë simpoziume e seminare ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksive të disa revistave.
Është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave në korrik të vitit 2008; rektor i shkollës së lartë “Gjon Buzuku” Shkodër në vitin 2010; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2012. Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi I Albanologjisë 2008”.
Më 2011 ka botuar veprën “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” dhe është shpallur fitues i çmimit të Akademisë KULT 2012 për librin studimor më të mirë të vitit
Ka përfunduar veprën “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” që do të botohej në vitin 2015, kurorëzim i punës 45 vjeçare të tij në fushën e albanologjisë.
Homazhet në nderim të personalitetit të akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 Maj 2018, nga ora 10.00-11.00 ndërsa ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës.