Është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare mesfushori Jose Antonio Reyes, pas një aksidenti tragjik paraditen e kësaj të shtune.
Siç bëjnë me dije mediat, Reyes ishte duke udhëtuar nga Sevilla në Utrera, kur makina e tij doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët.
“Nuk mund të konfirmonim lajm më të keq. Ylli i Sevilla-s, Jose Antonio Reyes ka vdekur në një aksident automobilistik. U prehtë në paqe!”, konfirmoi klubi spanjoll.
Në momentin e aksidentit, në mjet ndodheshin futbollisti e kushëriri i tij 23-vjeçar, që humbën jetën, si dhe një person i tretë, i cili ka marrë plagë të rënda gjithashtu me pasojë vdekjen.
Pamje të rënda janë zbuluar nga vendi i ngjarjes ku nuk shfaqet asgjë veçse makina që është bërë shkrumb e hi, nga ky aksident i tmerrshëm automobilistik.
Reyes la pas gruan Noelia Lopez me të cilën u martua në 2017-n dhe tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë.
Gjatë karrierës së tij, ai është aktivizuar me klube si Sevilla, Atletico Madrid e Real Madrid në Spanjë; Arsenal në Premier League dhe Benfica në Portugali. Vitin e kaluar, ai u aktivizua në kategorinë e dytë kineze, për t’u kthyer në Spanjë tek Extremadura.