Christian Panucci ka dhënë një prononcim pas ndeshjes kundër Spanjës. Për mikrofonin e TVSH-së, Panucci u shpreh se jo të gjitha skuadrat mund të krijojnë kaq shumë përballë një ekipi si Spanja.
“Pësuam një gol të parë shumë të bukur, ndërsa dy të tjerët i dhuruam ne. Nuk kishte të bënte kjo gjë me mënyrën se si u rreshtuam në fushë. Në pjesën e dytë ishim pesë herë pranë golit, por nuk mundëm t’ia arrinim.
Në fraksionin e dytë, ndryshova sistemin pasi e bëra formacionin në 4-3-3. Ishte një mënyrë për të shtyrë skuadrën përpara. Balliu është një lojtar i mirë që luan në ligën e dytë spanjolle. Futa Balliun pasi kalon një formë të mirë dhe i dhashë disa minuta. Jemi jashtë Botërorit dhe është e drejtë për ti dhënë shansin lojtarëve të tillë. Po kalon një formë të mirë. Nuk i ndodh të gjithëve të krijojnë pesë raste ndaj Spanjës, por shpresoj që këto raste t’i shndërrojmë në gola”, përfundoi ai.