Trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka bërë publike mesditën e sotme listën e futbollistëve të grumbulluar për 2 ndeshjet e vlefshme për kualifikueset ‘Euro 2020’.
Kombëtarja shqiptare do të përballet në 8 dhe 11 qershor me Islandën dhe Moldavinë, ku përbërja e kombëtares nuk është shumë surprizuese. Surpriza e vetme është grumbullimi i 19-vjeçarit Marash Kumbullës, futbollistit shqiptar që luan me Veronën, i cili është thirrur për herë të parë me kombëtaren. Në sy bie rikthimi i Sokol Cikalleshit, pas 8-muajsh jashtë fushës së blertë për shkak të dëmtimit, si dhe të rikthimi i Lenjanit.
Mungesë e sigurt do jetë Thomas Strakosha që vuan një dëmtim si dhe protagonisti me Atalantën, mbrojtësi Berat Gjimshiti.
“Janë 18 lojtarë që kanë qenë me De Biasin. Janë dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë me Panuçin. Më duhet kohë që të bëj vlerësimin e duhur. Kemi marrë dhe 4 lojtarë te Partizanit të cilët më kanë pëlqyer. Tani për tani kam një listë me 35 lojtarë që unë po i ndjek. Koha është shumë e shkurtër, ndaj vendosa të marr ata lojtarë që kanë qenë më përpara.
Objektivi? E dini të gjithë, është të arrijmë në Europian. Janë 5 skuadra, 2 të para kualifikohet. Do mundohemi të rregullojmë pjesën mbrojtëse më pas të kalojmë te sulmi. Çdo lojtar duhet ta ketë të qartë objektivin, para se të vijë në Kombëtare. Kam folur edhe me djemtë. Lojtarët që vijnë këtu duhet ta ndjejnë këtë skuadër. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjejnë këtë skuadrën. Futbolli është sport primar këtu në Shqipëri dhe shikoj që janë shumë të lidhur.
Mungesa e Gjimshitit dhe Çekiçit në listë? Gjimshiti do të operohet sot në shpinë. Ka luajtur në javët e fundit sepse trajneri Gasperini kishte nevojë për të. Çekiçin e kam parë, por ka edhe Uzunin dhe e kam nën vëzhgim. Jam duke ndjekur futbollistët që jam më në formë. Kjo nuk është lista e përhershme, do të ndryshojë”, u shpreh Reja në konferencë.