325 kg cannabis sativa, e ndarë në 61 pako është sekuestruar nga policia e Sarandës. Aksioni i policisë i koduar ”Ndryshe”, është finalizuar nga blutë e këtij qyteti, ndërsa në pranga ka rënë një person. Mësohet se lënda narkotike po transportohej me anë të një furgoni, i cili drejtohej nga Afrim Çifliku 43 vjeç, banues në fshatin Lapardha të Beratit.
Sipas policisë, Çifliku u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin tip “Ford-furgon” me targë AA706JR, brenda të cilit kishte fshehur 325 kg kanabis.
Njoftimi i policisë:
Sarandë, Policia sekuestron rreth 325 kg (kilogram) lëndë e dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sattiva, në një furgon. Arrestohet poseduesi i lëndës narkotike (drejtuesi i mjetit) shtetasi: Afrim Çifliku, 43 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Berat.
Policia e Sarandës ka bërë të mundur zhvillimin e këtij operacioni të koduar "NDRYSHE", mbi bazën e të cilit: Është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit Afrim Çifliku në fshatin Vrion, Delvinë, pasi ky shtetas u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin tip "Ford-furgon", brenda të cilit kishte fshehur një sasi të konsiderueshme me drogë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, Policia ka gjetur një sasi me lëndë narkotike në total - 325 kg (kilogram) të llojit Cannabis Sattiva. Lënda narkotike, ishte e ndarë në 61 pako, në formë thasësh ngjyrë gri dhe të zezë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Dyshohet se destinacioni i lëndës narkotike ishte shteti Grek.
Punohet për zbulimin, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.