INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tre pagesa për të njëjtën rrugë

Tre pagesa për të njëjtën rrugë

Publikuar më: 13:08 01-06-2016

Infrastruktura rrugore ka qënë një nga problematikat e vendit tonë. E për këtë qëllim qeveritë ndër vite, kanë investuar miliona euro për ndërtimin e tyre nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Ndërtimi ishte vetëm pjesa e parë që mori paratë e taksapaguesve shqiptare. 

Çdo vit qeveria shqiptare investon rreth 40 milion dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, dhe vetëm për Rrugën e Kombit shkojnë 20 milion dollarë. Në këto kushte qeveria ka një tjetër plan. Dhënien e rrugëve kombëtare me konçesion. Për këtë qëllim qeveria në fillim të 2015 ka firmosur marrëveshjen e “Strategjisë shqiptare të taksimit rrugor”, firmosur me BERZH, me vlerën 149.117 Euro.
BERZH-it i është dashur plot një vit për të hartuar strategjinë e taksimit rrugor për vendin tonë. Në draftin e BERZH sugjerohet që të tarifohen 9 rrugë, ku për zbatim të menjëhershëm rekomandohet Tiranë­-Durrës, Milot­ -Morinë, Tiranë­- Elbasan dhe Rruga e Arbrit, që ende s’ka përfunduar.

Ndërkohë është hapur tenderi vetëm për njërën nga rrugët, atë të Kombit. Do të jetë një Komision Vlerësimi Teknik, i ngritur pranë Ministrisë së Transporteve ai që do të bëjë vlerësimin për kompanitë pjesmarrëse. Ky Komision Teknik mësohet se ka asistencën e Bankës Botërore, i cili do të pas përzgjedhjes së kompanisë fituese do ia paraqesë qeverisë vendimin. Është qeveria ajo që me anë të një VKM do të shpallë më pas fituesin e marrjen me koncesion të rrugës së kombit.
Ndërkohë BERZH në draftin e saj ka paraqitur dhe mënyrën e implementimit të sistemit të tarifimit.
Për vendin tonë është menduar sistemi i hapur për pagesën e tarifave, e cila ofron sheshe tarifore në intervale përgjatë shtrirjes kryesore të autostradës.
Por sa do të jenë tarifat për secilën nga automjetet që do të përdorin këto rrugë në rast se do të hyjë në fuqi ky vendim, këtë mund ta shikoni në tabelën e mëposhtme:


Me hyrjen në fyqi të këtij vendimi, qytetarët do të paguajnë kompanitë private për të mirëmbajtur rrugët kombëtare. Në fakt një taksim i tillë do të ishte pagesë e dyfishtë për qytetarët shqiptarë, pasi ata çdo vit paguajnë taksën e qarkullimit rrugor, e cila shkon pikërisht për mriëmbajtjen e rrugëve.
Taksa e qarkullimit paguahet çdo vit nga përdoruesit e automjeteve, ndërkohë që kjo taksë është rritur vit pas viti në kurriz të qytetarëve. Niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit. Taksa sipas automjeteve, ku përfshihen autoveturat 4+1 deri në 8+1, fillon nga 2.400 deri në 4.800 lekë. Taksën më të lartë e kanë mjetet rrugore të veçanta mbi 18 tonë, e cila arrin në 8.000 lekë në vit.
Nga një analizë e thjeshtë del se qyetarët shqiptarë do të paguajnë tre herë për një rrugë, një herë kur u ndërtua, çdo vit taksën për qarkullimin rrugor, e tashmë duhet të përgaditen të paguajnë dhe kompanitë private që do t’i mirëmbajnë. Tashmë kërkohet që shteti të marrë përsipër që të mbrojë qytetarët, të vendosë ose taksën për kompanitë private ose taksën vjetore për qarkullimin rrugor.

Article Logic
Execution time: 0.0035960674285889