Tre persona janë vënë në pranga e janë kapur 50 kilogramë drogë. Ky është rezultati i operacionit të koduar ‘Kalaja’, ku janë arrestuar 3 krutanë. Policia thotë se në pranga janë vendosur B. Murati, 31 vjeç, D. Murati, 29 vjeç dhe Bashkim Mema, 41 vjeç, të tyre banues në Krujë. Për këta persona është arritur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës. Në rrugën e vjetër Vorë-Rinas policia ka ndjekur automjetin Mercedes Benz, me drejtues Muratin dhe pasagjer B. Memën dhe ku më pas është afruar edhe D. Murati, i cili ishte në drejtim të një automjeti tip Mercedes Benz. Pasi kanë ndaluar ata kanë shkëmbyer automjetet me njeri- tjetrin, ku në ato momente është bërë edhe ndërhyrja nga shërbimet e policisë.