INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tri ditë zie për Adem Demaçin. Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës në gjysmështizë

Tri ditë zie për Adem Demaçin. Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës në gjysmështizë

Publikuar më: 08:39 27-07-2018

Tre ditë flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, i cili të enjten ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, të shpallë tri ditë zie në Kosovë.
“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, është shprehur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, ka thirrur për sot një seancë në orën 11:00, për të rikujtuar jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Ndërkaq nga ora 12:00 do të bëhen homazhe. Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, në Kosovë njihet si njeriu që u bë simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lart figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi. Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Demaçi, gjithë jetën ia kushtoi shërbimit për atdheun. Liderët politikë e kanë cilësuar Demaçin edhe si hero të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se “vepra e Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën e armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës”.
Adem Demaçi pritet të varroset të shtunën, me ceremoni shtetërore.

Article Logic
Execution time: 0.0039699077606201