Duhan, alkool, drogë dhe seks që 14 vjeç. Këto janë veset kryesore të shumë adoleshentëve kryesisht në zonat më urbane të vendit, të faktuara e nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik.
Raporti, prezanton të dhëna tronditëse edhe për faktin se të rinjtë kanë deklaruar se alkoolin, duhanin dhe hashashin mund ta gjejnë fare lehtësisht.
Në raport citohet se 35% e nxënësve të klasave të nënta dhe vitit të parë gjimnaz kanë konsumuar duhan të paktën një herë në jetën e tyre dhe gati gjysma e tyre pijnë dhe një paketë në ditë. Konsumuesit në të mëdhej studiojnë në shkolla private dhe më të prirur janë djemtë me 47% dhe më pak vajzat me 24.8%.
Një ves tjetër, që është në përmasa shumë alarmate është dhe alkoolpirja. Pothuajse dy në tre nxënës, pra 65.7%, kanë konsumuar një ose më shumë pije alkoolike. Ndërkohë që 12.5% e djemve dhe 4.6% e vajzave raportuan për konsumim të shpeshtë të alkoolit. Edhe pse në vendin tonë nuk lejohet tregtimi i cigareve apo alkoolit për personat nën 18-vjeç, pothuajse të gjithë të rinjtë thonë se e blejnë pa problem. Ndërsa mariuanë kanë përdorur afro 6.6% e nxënësve të grupmoshës 14-16 vjeç dhe pjesa më e madhe e konsumojnë atë rregullisht. Në moshë të herëshme kanë kryer marrëdhënie seksuale 1 në 5 të rinj, 95% e të cilëve janë djem. E moshat më të shpeshta të fillimit të kryerjes së marrëdhënieve seksuale janë 14 vjeç dhe 15 vjeç.