INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tronditëse/ Shqiptarja ndoqi burrin që luftonte për ISIS në Siri, e terrorizuar telefon nga Siria

Tronditëse/ Shqiptarja ndoqi burrin që luftonte për ISIS në Siri, e terrorizuar telefon nga Siria

Publikuar më: 09:19 18-07-2019

Prej tre vjet një grua me pseudonimin Edina ndodhet në Siri. Ajo ndoqi bashkëshortin e saj që iu bashkua militantëve të ISIS. Tani që burri i saj u vra në luftë ajo do të kthehet në Kosovë.

Kjo grua, ka folur përmes telefonit për Radion Evropa e Lirë, duke treguar për kushtet e rënda në kampin Al-Nisa në Siri. Ajo thotë se nuk është e vetmja nga Kosova dhe rajoni, që ndodhen në kampet e Sirisë.
“Këtu në këtë vendin, në këtë kampin ku jemi ne, që na kanë nxjerrë prej burgut, quhet Al-Nisa, Koban. Edhe këtu tash për tash është një motër shqiptare, këtu me mua, një motër maqedonase me vjazën e vetë edhe mbesën edhe unë kosovare. Kushtet janë shumë të këqija, shumë, tmerr i gjallë. Na kanë lënë nëpër kampe nga 100 veta të plagosur. Edhe as nuk ka ushqime edhe as nuk ka ujë të mjaftueshëm. Na japin ujë të nxehtë për të pirë”, thotë ajo.
Kjo grua, 24-vjeçare nga Prishtina, bashkë me gra të tjera nga Kosova dhe Shqipëria, janë në pritje të kthimit në shtëpitë e tyre. Mirëpo, thotë se deri tani, askush nga institucionet e Kosovës nuk i ka kontaktuar për t’i kthyer në vendlindje, shkruan REL.
“Kurrfarë kontakti unë nuk kam pasur më herët. Para një jave kam dalë nga burgu. Kam qenë në Koban, nëntokë në burg kemi qenë. Tash me erdhi mundësia për të folur me ju. Ne nuk kemi kurrfarë kontakti me askënd tjetër”, thotë ajo, duke ndërprerë bisedën për shkak të frikës së mund ta dëgjojë dikush.
“Po e ndali më mirë. Kaq, unë s’mund të flas më shumë. Na bëni hallall”, ishin fjalët e saj të fundit.
Institucionet e sigurisë në Kosovë, nuk kanë ende ndonjë plan për kthimin e dhjetëra kosovarëve që vazhdojnë të jenë në Siri. Sipas përfaqësuesve të institucioneve në Prishtinë, aktualisht angazhimi ka të bëj me personat që tashmë janë kthyer.
“Qeveria e Kosovës ka kryer një proces të kthimit të 110 kosovareve dhe është duke u marr me rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre. Edhe një numër i shtetasve kosovar ka mbet në zonat e konfliktit dhe se Qeveria dhe institucionet e Kosovës do të marrin vendime dhe masa konform rrethanave dhe mundësive”, ka deklaruar Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli.
Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë qytetarët e Kosovës që janë në Siri, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Mirëpo thotë se luftëtarët e huaj të cilët janë në burgje atje, mund të paraqesin rrezik për shoqërinë kosovare.
“Duhet të kthehen në mënyrë të organizuar edhe ata që kanë mbetur në Siri. Një problem lidhur me grupin që është në Siri, është se tash kemi atje më shumë luftëtarë të huaj të cilët mund të përbëjnë rrezik për shoqërinë tonë. Kjo për faktin se ata kanë qenë në një zonë të luftës, dhe potencialisht janë ekspozuar ndaj dhunës dhe traumave të ndryshme, kjo i bën që të ketë një dozë rreziku në ta”, thotë Balaj.

Article Logic
Execution time: 0.0031578540802002