Lajmin e ka bërë publik vetë klubi i Borussia Dortmund ku luan 24-vjeçari, i cili me golin e tij i dhuroi Botërorin kombëtares gjermane në vitin 2014. Mario Gotze do të shkëputet nga fushat e futbollit për një periudhë të pacaktuar.
Sipas klubit, futbollisti ka probleme me metabolizmin dhe prandaj duhet të riaftësohet plotësisht para se t’i kthehet regjimit sportiv. “Jemi të lumtur që më në fund mësuam arsyet për shqetësimet e Marios”, tha drejtori sportiv Mikael Zork. “Jemi të bindur se ai do të sjellë më shumë cilësi në radhët tona me aftësitë e tij të jashtëzakonshme pas riaftësimit”.
“Aktualisht jam në procesin e trajtimit dhe do të bëj çdo gjë që kam në dorë për t’u kthyer në stërvitje sa më shpejt që të jetë e mundur, që të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat", ishin fjalët e vetë Gëtces. Që nga transferimi i tij te Borusia Dortmund në verën e vitit 2016, kur u largua nga Bajerni, Gotze ka luajtur vetëm 16 ndeshje me klubin duke shënuar 2 gola.