INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Trukimet e ndeshjeve të Skënderbeut, ish-ministri Ridvan Bode tregon arsyet pse nuk është fajtor

Trukimet e ndeshjeve të Skënderbeut, ish-ministri Ridvan Bode tregon arsyet pse nuk është fajtor

Publikuar më: 20:06 09-09-2016

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka reaguar pas akuzës së UEFA-s se ai ishte i përfshirë në skandalin e klubit të Skënderbeut, kur ishte pjesë e donatorëve. Bode përmendet i pari në listë për aferat për privatizimin e Skënderbeut dhe për ndërhyrjet që ai ka bërë asokohe me Dinamon dhe Shkumbinin që korçarët të shpalleshin kampionë.

Megjithatë, deputeti i Partisë Demokratike shprehet i habitur dhe i indinjuar për përmendjen e emrit të tij në argumentat e UEFA-s, ndërsa ka dhënë pesë arsye që sipas tij tregojnë se nuk është fajtor.

Reagimi i Ridvan Bodes:

I habitur dhe i indinjuar, mësova nga mediat se është përmendur emri im, Ridvan Bode, në justifukimin e një vendimi për dënimin e klubit të futbollit "Skënderbeu" me pezullim nga pjesëmarrja në kompeticionet e ligës europiane të futbollit.

Për opinionin publik dua të sqaroj se:

1.- Nuk kam qenë asnjëherë financues, donator apo anëtar bordi në asnjë organizim shoqëror, kulturor apo sportiv në Shqipëri apo jashtë saj.

2.- Si fans futbolli dhe veçanërisht i klubit të futbollit Skënderbeu, kam dhënë mbështetjen time nga shkallët e stadiumit siç bëjnë mijëra sportdashës. Asnjëherë nuk kam kontaktuar për të influencuar në ecurinë e futbollit as drejtuesit e klubit, as trajnerin apo lojtarë. Kurrë nuk jam takuar apo biseduar për ndeshje apo rezultate me presidentë, trajnerë apo lojtarë të asnjë ekipi futbolli.

3.-Nuk kam lidhje me privatizimin e klubit të futbollit Skënderbeu (me sa di ai nuk është i privatizuar). Klubi ka qenë në pronësi të bashkisë ku kryetar ka qenë zv.kryeministri aktual dhe çdo procedurë transformimi apo privatizimi kryhet nga bashkia Korçë.

4.-Nuk kam privatizuar ndonjë llotari sportive shtetërore, pasi nuk ka patur të tilla. Është dhënë me ligj licensa e llotarisë kombëtare që nuk ka të bëjë me baste sportive.

5.-Shpreh indinjatën time për përfshirje në një material të tillë, të prezumuar jo politik, të akuzave dhe konsideratave politike të eksponentëve të qeverisë aktuale të bëra ndaj meje.

Për sa më sipër do të ndjek ligjërisht shpifjet e ulta e denigruese ndaj meje në të gjitha instancat kompetente.

p.s. nuk jam njohur me asnjë material zyrtar. Reagimi im bazohet në sa ështe shkruar në media.

Ridvan Bode

Article Logic
Execution time: 0.0024712085723877