Kandidati republikan për president, Donald Trump, i cili praktikisht e ka siguruar nominimin për zgjedhjet presidenciale amerikane, duke komentuar sulmin më vdekjeprurës në historinë e Shteteve të Bashkuara, është shprehur në mënyrë agresive ndaj liderëve të Partisë Demokratike dhe myslimanëve.
Trump, i cili më parë kishte propozuar ndalesë të përkohshme të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, dje i është kthyer këtij propozimi, disa orë pasi 50 vetë u vranë nga një person i armatosur në një klub të natës në Orlando të Floridës.
Në rrjetin Twitter ai ka shkruar se ka pasur të drejtë me vërejtjet e tij për “terrorizmin radikal islamik”. Më tej ai ka theksuar se ajo që ka ndodhur në Orlando është vetëm fillimi. Trump i bëri thirrje presidentit amerikan, Barak Obama, të paraqesë dorëheqjen dhe që Hillari Klinton të tërhiqet nga gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara.