INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Turistët polakë të zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri:

Turistët polakë të zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri: "Ushqim i varfër, plehra dhe mushkonja "

Publikuar më: 14:25 05-08-2017

Turistët polakë duket se kanë mbetur të zhgënjyer nga pushimet e tyre në Shqipëri. Agjencia polake u ka kërkuar një vlerësim pushuesëve që ka sjellë në vendin tonë dhe ata kanë dhënë përshtypjet e tyre ku nuk mungojnë komentet negative. Komentet për ushqimin e varfër, plehrat, mungesën e infarstrukturës muzikën, dhe shërbimin e keq nuk kanë munguar ndërsa vlerësohen dhomat e pastra. Përshtypjet u dhanë për hotelet shqiptare që agjencia polake Itaka kishte lidhur kontratat. Itaka është një agjenci e madhe polake që këtë verë ka siguruar kontrata me 12 hotele në Shqipëri për oferta all inclusive dhe ka sjellë këtë vit në Shqipëri një numër të konsiderueshëm turistësh polakë.
“Pushova në Durrës. Hoteli ishte i ri dhe me hapësira të bollshme, me kondicionerë, por në anë të rrugës kryesore, zhurmat ishin të mëdha. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm, duhet të mbaje radhë për një bërxollë dhe kishte shumë pak kamerierë. Nuk kishe mundësi zgjedhje në ushqim, pasi të gjithë kohën ishin të njëjtat gjëra, edhe proshuta ishte e njëjta. Dhomat pastroheshin dhe peshqirët ndërroheshin. Por nuk kishte asnjë gjë argëtuese për fëmijët përveç pishinës”. Këto janë përshtypjet që ka shkuar një turist polak që ka qëndruar 10 ditë në plazhin e Durrësit.
Ne pushuam gjithashtu në hotel ….në Durrës. Java e parë ishte katastrofike, por javën e dytë disa gjëra u përmirësuan. Vaktet ishin shumë të varfra. Duket qartë se ato janë ende në fillesat e të mësuarit si të shërbejnë për turistët, por pse në kurrizin tonë”. Unë mendoj se ata, para se të fillojë sezoni, duhet të marrin leksione për shërbimet bazë që duhen ofruar”, – shprehet një tjetër turist polak.
“Unë qëndrova disa ditë në hotel … po në Durrës. Sapo u prezantova me hotelin, gjërat në dhomë nuk ishin si shpjegimet në ofertë. Pastaj dita fillon me një trishtim të madh, pasi një vakt nuk ishte i përfshirë, teksa unë kisha blerë ofertën all inclusive. Pas kërkesave të mia këmbëngulëse për konsumin e drekës m’u ofrua një vakt i ftohtë me një copë mishi që praktikisht ishte e pangrënshme. Në ofertë ishte premtuar se pishina ishte me bar falas, por kjo në realitet nuk ofrohej. Hoteli nuk kishte ekspres kafeje”-ankohet një tjetër pushues. Duket se problemi me ushqimin e varfër dhe të shërbyer në mënyrë të papërshtatshme ka zënë një pjesë të mirë ët komenteve.
“Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, ishte pa shije, i ftohtë dhe shumica e vakteve ishin pa mish dhe peshk. Edhe supa gjeje rrallë. Avantazhi i hotelit është vendndodhja. Në afërsi të plazhit me rërë, kishte kafene dhe dyqane. Unë mendoj se organizatorët duhet të shesin këtë hotel me vetëm mëngjes, sepse versionet e tjera thjesht nuk janë të arritshme”, – shprehet një tjetër vizitor polak për Durrësin.
“Fjalë për fjalë, nuk kishte asgjë për të ngrënë. Disa domate, sallatë jeshile, pak spageti, disa pjesë të mishit që nuk ishin të mjaftueshme as për 10 persona, supë e holluar me ujë dhe kështu. Pavarësisht ankesave tona edhe të nesërmen asgjë nuk kishte ndryshuar, përveçse supa bashkë me mishin u zhdukën nga menyja. Peshku gatuhej në vaj, ishte shumë i hollë dhe tej mase i skuqur. Në mëngjes arrije të merrje vetëm një briosh, pasi në të shumtën e rasteve çaji dhe lëngjet kishin mbaruar, kanat ishin të boshatisura dhe nuk mbusheshin prapë. Nuk bëhet fjalë për ëmbëlsira, akullore dhe fruta. Nuk kishte aktivitete argëtuese. Unë ju them, ju lutem braktisini ofertat all inclusive, pasi mund të ushqeheni me para ekstra, pasi ka plot dyqane perimesh në zonë dhe restorante të tjera që ofrojnë vakte të lira. Kostot e mia ishin shumë më të mëdha se oferta që më dha Itaka. Pushimet e mia u prishën”, -rrëfen një pushues që duket se e “nxi” panoramën e pushimeve që mund të bësh në Shqipëri.
“Kam qëndruar në Durrës disa ditë. Mëngjesi ishte si një shuplakë për ne. Por kishe mundësi të konsumoje vakte të lira jashtë ofertës në restorantet përreth. Në plazh kishte shumë gjëra që të bezdisnin. Shitës frutash dhe gjërash të tjera nuk të linin asnjë minutë të qetë dhe qentë e rrugës ishin të frikshëm. Ata pushonin ngjitur me ne të qetë në diell. Kur vinte darka, lukunia e mushkonjave të bënte copë. Ishte hera e parë e imja në Shqipëri dhe e kam shumë të vështirë t’ju them juve që të shkoni atje”, – shprehet një turist polak. “Zona përreth është dramë e madhe, plot plehra dhe baltë. Ushqimi ishte i ftohtë dhe gjithmonë i njëjti, një pulë e servirur në forma të ndryshme. Restoranti nuk ka pajisje për ngrohjen e ushqimit. Për dhomën e hotelit nuk mund të ankohem. Muzika ishte gjithnjë me zë të lartë në çdo orë të ditës dhe kishim përshtypjen se ishte në dhomën tonë. Muzika ishte vendase, gjithmonë me zë të lartë, thjesht e padurueshme. Uji në det ishte i ngrohtë dhe noti ishte gjëja më e mirë atje”-thotë pushuesi.

Article Logic
Execution time: 0.0034248828887939