INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Turizëm, qeveria ul taksën e qëndrimt në vendin tonë

Turizëm, qeveria ul taksën e qëndrimt në vendin tonë

Publikuar më: 08:13 06-04-2017

Qeveria ka ulur TVSH për akomodimin (fjetjen) në sektorin e turizmit në 6 për qind nga 20 që aplikohet aktualisht.
Vendimi i qeverisë erdhi pas një kërkesë disa vjeçare që ka bërë sektori. Së fundmi është vënë re një interes i shtuar për turizmin në vend, si në kahun e kërkesës ashtu dhe ofertës. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017.
Për vitin 2016 Banka e Shqipërisë raportoi se të ardhurat nga turizmi arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh në vend. Bilanci neto i të ardhurave nga turizmi ishte rreth 390 milionë euro, niveli më i lartë rekord.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2016, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri arritën një rekord prej 4.7 milionë udhëtarësh, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Edhe bizneset shqiptare, në reagim të kësaj kërkese dhe mungesës së kapaciteteve akomoduese i kanë kthyer sytë nga investimet në hotele e komplekse turistike.
Për vitin 2016, raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) na renditi në vendin e 96 nga i 120-i që ishim në vitin 2015 sa i përket kontributit total të turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2017, shifrat janë pozitive, madje ritmi i rritjes së industrisë së turizmit është edhe mbi mesataren botërore, si për kontributin direkt (5.2%), ashtu edhe atë total (5.3%).
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi është një tjetër tregues në rritje. Sipas ËTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000.

Article Logic
Execution time: 0.0038020610809326