Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi është arrestuar ditën e djeshme në një hotel në zonën e Linzës. Arrestimi i reperit 31-vjeçar vjen pas një hetimi disa mujor me metoda speciale ndaj një grupi kriminal që operonte në kryeqytet, pjesë e të cilës dyshohet se është edhe Stresi.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dhomën e hotelit ku ndodhej Stresi është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël kokaine, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Sipas raportimeve të policisë, Stresi është përgjuar teksa komunikon me disa persona për trafikun e drogës. Po kështu në përgjimet ambientale dhe ato telefonike Stresi është kapur duke orientuar shitësit të çojnë drogë në disa vende kryesisht lokale.
Por ajo që ka bërë që policia të vihet në lëvizje dhe ta arrestojë është fakti se kishte informacion që ai do të largohej jashtë shtetit ditët në vijim. Ndërkaq burime nga policia bëjnë të ditur se në ditët në vijim të ketë arrestime të tjera në Tiranë.