Ish-drejtuesi i Bankers Petroleum Albania, Leonidha Cobo i është përgjigjur padisë së Xingyun Sun për shkeljet e kryera gjatë kohës kur drejtonte komapninë në fjalë. Z. Cobo shprehet se padia e dorëzuar në Gjykatën e Fierit nga shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” vjen për shkak të situatës që po kalon shoqëria.
Drejtuesit aktualë të kësaj kompanie pretendojnë se ish-drejtuesi Cobo për shkak të veprimeve të tij të kundraligjshme, nëpërmjet ekspozimit të informacionin konfidencial ka përvetësuar përfitime personale.
Me një reagim publik, z. Cobo mohon zërat se ai në bashkëpunim me kolegë italianë dhe kanadezë të ketë krijuar një kompani paralele siç pretendohet nga drejtuesit e Bankers. Sipas tij, ky pretendim i ngritur nuk qëndron dhe është krejtësisht i pavërtetë. Ai theksoi se akuzat kanë për qëllim të spostojnë vëmendjen nga problemet që ka krijuar menaxhmenti aktual.
Më tej, Cobo shkruan se padisë do t’i përgjigjet me kallëzim në gjykatë pasi sipas tij, drejtuesi ekzekutiv Sun ka krijuar një skemë piramidale duke transferuar të ardhurat drejt Kinës pa detyrime kontraktuale.
Reagimi i plotë i Leonidha Cobo
"Lajmi i publikuar në media se unë në bashkëpunim me kolegë kanadezë dhe italianë kemi krijuar kompani paralele dhe kemi shkelur marëdhënien e konfidencialitetit, për përfitime personale është krejt i pavërtetë dhe i genjeshërt. Akuzat se unë kam përfituar personalisht në marrëdhenie me nënkontraktorët janë të pavërteta dhe genjeshtra që duan të heqin vëmendjen nga problemet që ka krijuar manaxhmenti aktual duke bërë të mundur ndaljen e vendburimit për herë të parë në historinë e tij sikur të ishte pronë personale e Bankers dhe jo aset me rëndësi jetike për vendin.
Bankers dhe CEO aktual Mr Grand Sun mbajnë përgjegjësi për situatën e krijimit të një skeme piramidale për kompaninë më të madhe në Shqipëri, duke akumuluar një borxh prej 80 milionë USD kontraktorëve shqiptarë. Mr. Sun nuk mund të përdori skema të tilla keqinformimi duke kryer një aktivitet ekonimik kriminal duke transferuar të ardhurat nga ky vendburim drejt Kinës pa plotësuar detyrimet kontraktuale kundrejt bizneseve të Bankers dhe për këtë mban përgjegjësi duke e ditur mosaftësinë paguese të Bankers, e cila e bën atë përgjegjës penalisht sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Si rrjedhojë, unë dhe kolegët e mi do ngremë akuzë për Bankers dhe z. Grand Sun sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare për prishje të imazhit. Ftoj gjithë autoritetet ligjzbatuese të ndalin këtë krim ekonomik që po çon në kolaps jo vetëm bizneset që kanë lidhje me Bankers por gjithë industrinë e naftës në Shqipëri. Me respekt Leonidha Cobo"