Gazeta gjermane BILD botoi ditën e djeshme edhe 10 përgjime të tjera telefonike të realizuara nga Prokuroria shqiptare nga Dosja 184/2016, lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër, ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të qeverisë Rama, që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve.
Një prej protagonistëve të këtyrë përgjimeve është edhe ish-ministri Gjiknuri i cili në përgjimet e para dëgjohej duke thënë se do të dërgonte 'çuna problematikë' si përforcime për shtabin elektoral në Dibër.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ai ka publikuar në profilin e tij një foto me të rinjtë socialistë, ndërsa nuk lë pas edhe ironinë. "Mirëmëngjes! Pranë furgonit me gocat dhe çunat "problematik" të Forumit Eurosocialist të Vlorës, me të cilët po udhëtojmë në çdo lagje për të prezantuar Dritan Lelin dhe skuadrën e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak", shkruan deputeti.