Ka ndërruar jetë aktivisti i çështjes shqiptare, Adem Demaçi, në moshën 82-vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.
“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë”, ka thënë Haliti, që po kryesonte seancën në të cilën po diskutohej për dialogun me Serbinë. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi një minutë heshtje nga deputetët e pranishëm në sallë, ndërkohë që seanca u ndërpre për të vijuar ditën e nesërme.
Kush është Adem Demaçi
Adem Demaçi është një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes nacionaliste kosovare. Ai do të mbahet mend për idenë e madhe të hedhur nga intelektualët e Kosovës, në vitin 1974, “Duam një autonomi për Kosovën”. Adem Demaçi u burgos në vitin 1960-1969, gjatë mbizotërimit brutal të udhëheqësit policor serb, Aleksandar Rankovic.
Regjimi brutal policor i Rankovicit, bëri shumë nacionalistë kosovarë, mes tyre edhe Adem Demaçi, të vuajnë nëpër burgjet serbe. Adem Demaçi i përket plejadës së njerëzve më të ndritur të Kosovës, të cilët panë nga afër shfrytëzimin ekonomik të Kosovës, regjimin e dhunshëm dhe policor serb, si dhe implementimin e politikave të bastisjes së territoreve kosovare, nga ana e Serbisë.
Për vuajtjet e Adem Demaçit, është interesuar edhe organizata më e madhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, “Amensty International”, e cila në fillin e viteve 1971, bëri kërkesë zyrtare, kundrejt autoriteteve serbe, për lirimin e Demaçit. Me vdekjen e tij, Kosova ka humbur simbolin e qëndresë së fortë por ka fituar edhe mësimet e tij.
Me marrjen e çmimit « Sakharov», Parlamenti Evropian, Adem Demaçin e radhit në piedestalin me të lartë të personaliteteve botërore, gjurmët e të cilëve do të mbesin përjetësisht në historinë e njerëzimit