Dy vite më parë, Albana Osmani tregoi se shumë shpejt do të shfaqej në ekran edhe si aktore, duke qenë se do të ishte pjesë e filmit ‘Lazart Burning’. Përkrah moderatores do të luanin aktorë rus dhe disa shqiptarë si Ermal Mamaqi, Jonida Vokshi dhe Blerim Destani.
Në një intervistë në vitin 2016-të, Albana u shpreh shumë entuziaste për ofertën që kishte marrë për t’u bërë pjesë e filmit. Ky film ka filluar të shfaqet në kinema, por me një emër të ri dhe me aktorë të tjerë. Bëhet fjalë për ‘The Brave’, filmi aksion i frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit.
E kontaktuar nga ‘Anabel.al’, Albana ka treguar se përse ndodhën këto ndryshime. “Në fakt ai film ‘Lazart Burning’ nuk u bë kurrë. Për punët e tyre ata ndryshuan skenarin, kastën e aktorëve dhe detaje të tjera. Në film futën më shumë personazhe burra. As unë, as Ermali dhe as Jonida nuk u bëmë pjesë e tij”, – ka shpjeguar Albana. Ajo ka treguar se nuk ka patur ndonjë problem që u bën këto ndryshime në kastën e aktorëve, sepse çdo gjë ka të bëjë vetëm me skenarin e filmit.