Emri i tij u lakua në media për pjesëmarrjen në një nga festivalet më prestigjioze shqiptare, “Kënga Magjike”. Pak javë më parë u tha se Ylli Limani do të ishte pretendent për vendin e parë dhe se do të vinte me një baladë në këtë 20-vjetor të festivalit. Mirëpo në të gjitha mediat online qarkulloi lajmi se Ylli ka hequr dorë nga konkurrimi në Kënga Magjike dhe u tha që arsyeja ishte se ai është frikësuar në mos kënga rrezikon të ‘digjet’ në garën e fortë me emra të njohur të muzikës.
Mirëpo i kontaktuar nga lajmi.net këngëtari e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se në momentin e fundit ka marrë këtë vendim dhe ka vendosur të fokusohet në projekte muzikore sesa festivale.
‘’ Arsyeja pse kam heq dorë në moment të fundit prej ‘Këngës Magjike’ është që në momentin e fundit kam vendos mos me shku për arsye se nuk e kom ndje që duhet me shku. Nuk ka të bëj as për qe me u djeg kënga as që kam problem me organizatorët e festivalit dhe vet festivalin në përgjithësi. Po kam më shumë dëshirë me u merr me këngë e klipe sepse ka më shume publicitet dhe përfitim’’, tha ai.