Nuk ndalen holandezët. Ata sërish këmbëngulin, që të mos kalojnë emigrantë shqiptarë nga Roterdami drejt Britansië së Madhe. Mësohet se dy deputetë holandezë të Parlamentit Europian kërkojnë që Shqipëria të intensifikojë veprimet për ndalimin e qytetarëve të saj që kalojnë ilegalisht kufijtë. Eurodeputetët i janë drejtuar dhe me një letër Komisionit Europian për të monitoruar veprimtarinë e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare për parandalimin e fluksit të madh të refugjatëve.
Në letër me të tjerash shkruhet:
‘’Emigrantë të paligjshëm shqiptarë po shfaqen akoma më shumë në portet e BE-së, që shërbejnë si tranzit drejt Mbretërisë së Bashkuar si Porti i Roterdamit. Pavarësisht bashkëpunimit të suksesshëm për kontrollin e kufijve dhe aksioneve të goditura nga autoritetet, shumë emigrantë bien pre e trafikantëve, përfshihen në veprimtari të paligjshme ose vdesin gjatë rrugës.
Ata i kërkojnë llogari për këtë çështje dhe KE-së:
“Në kundërshtim të kësaj situate:
-A do të ndërmarrë Komisioni Europian fushata të përgjithshme informuese si: reklama në televizione, fushata nëpërmjet rrjeteve sociale apo shtypit të shkruar në Shqipëri që synojnë parandalimin e emigrimit të paligjshëm?
-A adresojnë fushatat e sipërpërmendura për rreziqet dhe pasojat e emigrimit të paligjshëm, si: ndalimi i hyrjes në vendet e BE-së apo rreziku i vdekjes?
-A do të monitorojë, raportojë dhe asistojë Komisioni Europian përpjekjet e Shqipërisë në fushatat informuese për parandalimin e emigrimit të paligjshëm nga ky vend?
Kjo notë negative për vendin tonë shënohet teksa në 18 tetor vendi ynë pret përgjigje për nisjen e negociatave me BE-në.