INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Umbrella, kafeneja ku Valon Arifi

Umbrella, kafeneja ku Valon Arifi "strehon" refugjatët në Preshevë

Publikuar më: 12:56 03-03-2016

Ndërkohë që kufinjtë ballkanikë kanë përbërë gjithmonë problem për refugjatët, një rreze shprese duket se nuk mungon as në zonat më problematike dhe të dhunshme.

Diçka e tillë ndodh veçanërisht në Preshevë, një qytet i cili njihet si vend ndalimi masiv për refugjatët dhe emigrantët. Vetëm pak hapa nga Qëndra e Pritjes së Refugjatëve në kufirin serbo-maqedonas, ndodhet Umbrella, kafeneja e hapur nga Valon Arifi nën financimin e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

Një kafene jo si gjithë të tjerat, mbron refugjatët duke u lejuar të gjithë atyre hyrjen dhe mundësinë që të ndjehen si njerëz, por kjo nuk është e vetmja veçanti e saj. Gjithçka që shërbehet aty, kafet dhe kruasantët, janë falas. Një realitet në dukje i pabesueshëm duke marrë parasysh se ndërkohë gjithmonë e më shumë shtete ballkanike po u mbyllin dyert refugjatëve, duke nxitur urrejtje dhe dëshpërim mes refugjatëve.

Valoni shprehet se qëllimi është që të bëjë diçka normale për këta njerëz, por ajo që është jashtë së zakonshmes është konsiderata ndaj tyre si njerëz normalë, në një kohë ku trajtohen si pako që çdo shtet i refuzon. Megjithatë vizioni i tij nuk ndalet këtu, pasi në të ardhmen ai dëshiron të mundësojë kushtet në të cilat këta njerëz të pafat të mund të komunikojnë me të afërmit e tyre, nëpërmjet Skype apo e-maileve. Megjithatë, tani për tani, një kafe falas nuk duket keq.

Article Logic
Execution time: 0.0034370422363281