Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet gjatë orëve të natës për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për më tepër ndaj atyre që i kanë kthyer rrugët në “pistë garash”.
Në një njoftim, policia bën të ditur se nga kontrollet e deritanishme janë evidentuar dhe proceduar administrativisht 5 drejtues mjetesh dhe motomjetesh për gara me shpejtësi, 3 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 3 drejtues mjetesh për xhama të errët.
‘Para se të garosh në rrugë, kujto pasojat e atyre që gabuan para teje’.Shkruan policia, teksa poston edhe pamje nga aksioni.
“Kontrollet e nisura më herët, nga rrugoret e kryeqytetit me efektivë civilë në rrugët urbane dhe interurbane, po vijojnë akoma në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”në unazën e madhe si një nga segmentet më të rrezikshme të kryeqytetit, ku për shumë drejtues mjetesh dhe motomjetesh, kjo rrugë Interurbane në orët e vona të natës, shfrytëzohet si “pistë garash” ku finishi i saj mbetet, aksidenti me pasojat e tij të tmerrshme ose...Para se të garosh në rrugë, kujto pasojat e atyre që gabuan para teje” shkruhet në njoftimin e bluve të Tiranës.