INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Unaza e Re/ Bashkia e Tiranës përgënjeshtron deklaratat e PD-së

Unaza e Re/ Bashkia e Tiranës përgënjeshtron deklaratat e PD-së

Publikuar më: 17:48 19-12-2018

Pas deklaratave të PD e cila shprehet se pas projektit të Unazës së Re është favorizuar biznesmeni Edmond Bego ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës.

Në një njoftim për mediat Bashkia e kryeqytetit hedh poshtë akuzat e opozitës .

“Në zonën që përmend Lulzim Basha nuk ka asnjë leje ndërtimi të lëshuar nga bashkia Tiranë. Plani i Përgjithshëm Vendor i çdo qyteti nuk përcakton gjurmët e rrugëve apo vijave ujore, por konceptet dhe drejtimet kryesore të këtyre zhvillimeve. Për përcaktimin e gjurmës së saktë të një rruge apo vije ujore duhet një analizë e mirëfilltë inxhinierike e bazuar në rilevimin e terrenit të zonës si dhe në analiza shkencore hidroteknike.Vetëm pas punës përgatitore inxhinierike mund të hartohet projekti teknik dhe projekti i zbatimit të cilët përcaktojnë me përpikmëri vendndodhjen e rrugës apo vijës ujore.

Bashkia e Tiranës ka kontraktuar hartimin e projektit të kësaj rruge, projekti i hartuar nga inxhinierë, pasi ka kaluar dhe oponencën teknike, është miratuar si projekti teknik i cili përcakton me saktësi gjurmën e rrugës pavarësisht orientimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor. Është ky projekt që merr parasysh të gjithë analizën inxhinierike dhe hidroteknike të zonës i cili përcakton saktësisht gjurmën e rrugës e vijës ujore.

Lulzim Basha do të mbahet mend si i vetmi kryetar i Bashkisë Tiranës në qindvjeçarin e fundit që firmosi leje ndërtimi për shtesë kati mbi apartamentin e vet në kat të 13. Shtesë kati në hapësirën e përbashkët të banorëve tek pallatit i tij me pamje nga Liqeni. Për t’i kujtuar atij dhe qytetarëve pamjen e një leje ndërtimi bashkëlidhur planvendosja ku Lulzim Basha firmos për Lulzim Bashën, në shkelje flagrante të ligjit të konfliktit të interesit dhe Kodit Civil mbi bashkëpronësinë. Vlen të theksohet se për çështjen e përmendur as nuk ka leje ndërtimi, as nuk preket nga Unaza e Re.

Pra, zona në fjalë nuk preket nga projekti i rrugës të Unazës së Re, pasi ndodhet në Njësinë Administrative nr. 7 dhe është një tentativë e mërzitshme për të ngatërruar një çështje me një tjetër” thuhet në njoftimin për mediat.

Article Logic
Execution time: 0.003760814666748