INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Universitetet/ Dalin fituesit e raundit të dytë, zbuloni sa kuota bosh kanë mbetur, afatet dhe si të veproni! [FOTO]

Universitetet/ Dalin fituesit e raundit të dytë, zbuloni sa kuota bosh kanë mbetur, afatet dhe si të veproni! [FOTO]

Publikuar më: 18:45 26-09-2018

Të gjitha universitetet kanë bërë publike listën e dytë të fituesve dhe janë gati për të nisur nesër procesin e regjistrimit. Ndryshe nga raundi i parë, tashmë janë vetëm pesë faza 48-orëshe, me ulje të përditësuar të vizës së kuqe në plotësim të kuotave të mbetura bosh. Rregullat janë të njëjta.

Nëse dega, për të cilën është aplikuar, ngjyroset në të gjelbër, regjistrimi duhet të bëhet brenda dy ditësh. Në të kundërt, e drejta e studimit humbet. Raundi i dytë vjen gjithashtu me një tjetër risi. Për profilet ku ka kuota bosh, ndërkohë që lista ka përfunduar, rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse. Një shans i fundit ky për kandidatët që pas shumë pritjesh nuk arrijnë të fitojnë degën e synuar deri në ditën e fundit të regjistrimeve, më 6 tetor. Ndërkohë që, në 7 tetor, ata që nuk janë të bindur për degën që kanë zgjedhur, pra, janë regjistruar, mund të çregjistrohen pranë sekretarive përkatëse.

RAUNDI I TRETE

Ministria ka vendosur: asnjë kuotë nuk do të mbetet bosh, ndërkohë që jashtë ka ende kandidatë që duan të hyjnë në universitet. Për këtë qëllim është futur raundi i tretë, ku regjistrimet janë lënë në rende të lirë. Gjatë periudhës nga 9-13 tetor 2018, universitetet vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve që aplikuan në raundin e dytë dhe që nuk janë regjistruar ende në një tjetër program studimi. Në këtë rast, MAS ua lë dorë të lirë fakulteteve për pranimet.

Njësitë bazë janë ato që përzgjedhin kandidatët për vendet që ende i kanë bosh. S’ka rëndësi nëse këta të fundit kanë aplikuar në raundin e parë apo të dytë. Datat nga 15-18 tetor, kur viti i ri akademik sapo ka nisur, do të jenë një tjetër fazë kur do përzgjidhen fituesit e fundit. Dy ditët pasuese, 19 dhe 20 tetor, do të bëhen regjistrimet bazuar në rankimin që kanë bërë dekanatet. Brenda 29 tetorit, të gjitha universitetet duhet të kenë kopsitur listën përfundimtare për t’ia nisur rrjetit akademik shqiptar dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Të regjistruarit për këtë vit akademik nuk kanë më mundësi të ndryshojnë mendim. “Aplikantët, të cilët kanë bërë regjistrimin me dokumentacion dhe kanë nënshkruar në regjistër, nuk kanë të drejtë të ndryshojnë programin e studimit për këtë vit akademik”, nënvizohet në udhëzimin e pranimeve për 2018-2019.

VENDET KU GAROHET

Nga 36 mijë kuota në total në universitetet publike e private, në raundin e parë fituan dhe u regjistruan më pak se gjysma e tyre, 16.400 kandidatë. Nga këta, rreth 270 “ikën” për një degë më të mirë dhe janë garues potencialë në këtë raund pranimesh. Mjekësia dhe Universiteti i Tiranës kanë nivelin më të lartë të regjistrimeve, në raport me universitetet e tjera në kryeqytet, por edhe ato në rrethe.

Më konkretisht, në Universitetin e Tiranës janë të lira rreth 1300 kuota, te Politekniku 500, ndërsa te Mjekësia më pak se 100 kuota. Nuk është surprizë fakti që degët ekonomike kanë qenë më të preferuarat e maturantëve shqiptarë, së paku në raundin e parë, sipas panorama. Në rang vendi, rreth 21% e kandidatëve janë regjistruar në Ekonomi, ndjekur nga Shkencat Sociale e Politike me 19.5%, Mësuesia me 16.5% dhe Infermieria, që ka ardhur në rritje krahasuar me vitet e kaluara.

rv.jpg

Article Logic
Execution time: 0.004162073135376