INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Universitetet nxjerrin udhëzimet për pranimet e reja

Universitetet nxjerrin udhëzimet për pranimet e reja

Publikuar më: 16:54 22-04-2017

Disa universitete këtë vit pritet të presin më shumë studentë duke kërkuar më shumë kuota.

Për vitin e ardhshëm pritet që Universiteti i Mjekësisë të kërkojë 300 kuota shtesë, ndërsa Universiteti Bujqësor 200 kuota më shumë se viti paraardhës.

Këto kërkesa nga universitetet bëhen në bazë të kapaciteteve infrastrukturore të mjediseve akademike dhe numrit të pedagogëve. Nxënësit që do të konkurojnë për në universitet, edhe këtë vit duhet të kenë notën minimale mesatare 6.

Kriteret e pranimit në universitete
Tashmë çdo universitet përcakton vetë kriteret e pranimit, duke i dhënë peshë specifike provimeve të detyrueshme të maturës shtetërore, atyre me zgjedhje dhe mesatares gjatë tre viteve të gjimnazit.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë
Në udhëzimin e dhënë nga Fakulteti i Drejtësisë, kriteret janë 50% nota mesatare e tre viteve duke përfshirë provimet e maturës shtetërore dhe 50% grupi i lëndëve të përcaktuara nga ky fakultet. Këto lëndë, me 10% secila, janë: gjuha dhe letërsia shqipe, qytetaria, historia, ekonomia dhe gjuha e huaj. Për këto lëndë do të llogaritet nota mesatare përgjatë gjithë viteve që janë zhvilluar.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë
Edhe Fakulteti i Ekonomisë në UT ka zgjedhur të njëjtat kritere vlerësimi, ku 50% zë nota mesatare përgjatë tre viteve të shkollës së mesme së bashku me provimet e maturës shtetërore, ndërsa pjesa tjetër zihet matematika me 15%, ekonomia me 15%, fizika me 10% dhe gjuha e huaj me 10%.

Universiteti i Mjekësisë
Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të vlerësojë me 35% mesataren aritmetike të provimeve të maturës shtetërore, 35% mesataren e të tre viteve të shkollës së mesme dhe 30% lëndët kimi, biologji dhe fizikë, secila me një peshë nga 10%.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale
Për t’u pranuar në këtë fakultet, nota mesatare e tre viteve të gjimnazit përbën 50% të vlerësimit total, ndërsa nota mesatare e tre provimeve të detyrueshme të maturës (gjuhë dhe letërsi shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj) përbëjnë 40%. Pjesën tjetër të vlerësimit, 10%, nxënësi do ta marrë në bazë të provimit me zgjedhje të një prej lëndëve si qytetari, sociologji, filozofi, histori, gjeografi, psikologji, biologji, ekonomi dhe teknologji.

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Më e thjeshtë duket procedura për nxënësit që do të duan të studiojnë në një nga degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sipas udhëzimit të dhënë nga Senati i Universitetit të Tiranës për këtë fakultet, studenti duhet të ketë mesataren e thjeshtë mbi 6, e cila rezulton nga mbledhja e notave të tre viteve dhe notave të marra në provimet e maturës shtetërore pjesëtuar me numrin në total të notave të mbledhura.

Article Logic
Execution time: 0.0034511089324951