Me ardhjen në pushtet të socialistëve shumë universitete private janë mbyllur në kuadër të vlerësimit të standardeve që ofronin. Por sot rreth 4 vite më vonë, një prej godinave të universiteteve të mbyllura ka dalë në shitje. Mësohet se trualli dhe ndërtesa e ish-universitetit “Kristal”, në afërsi të Rinasit, kanë dalë për shitje përmes ankandit.
Është shoqëria përmbarimore Zike, ajo që për llogari të Bankës Credins ka bërë shpalljen e ankandit, teksa kompania Kristal nuk ka shlyer një kredi afatgjatë, edhe pas ristrukturimit të saj.
Në shitje ka dalë një pasuri arë me sipërfaqe 1866 metra katrorë, me një çmim fillestar prej 8.1 milionë lekësh, sipas vlerësimit të ekspertit.
Prona e dytë, me vlerë të lartë është pasuria truall + ndërtesë, ku trualli ka një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katror dhe ndërtesa 625 metra katrorë. Çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 122 milionë lekë.
Në total, çmimi i të dy pronave është rreth 130 milionë lekë, apo rreth 950 mijë euro.
Data e fundit e ankandit është 5 qershori.