Fëmijët, të cilët nuk kanë kryer vaksinat nuk do të regjistrohen në çerdhe, kopshte e shkolla. Ministria e Arsimit ka urdhëruar që në institucionet e arsimit parauniversitar, të mos pranohet asnjë fëmijë që nuk ka kryer vaksinat. Masa e ministrisë vjen pas përhapjes së fruthit në kopshte e çerdhe për shkak të mos vaksinimit të fëmijëve “Për regjistrimin e fëmijës në kopsht paraqitet vetëm vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore. Në raste të veçanta, kur prindi nuk ka vërtetimin e vaksinimeve të fëmijës, drejtoresha e kopshtit i kërkon prindit t’i drejtohet qendrës përkatëse shëndetësore dhe pas marrjes së vërtetimit, e regjistron fëmijën”, përcaktohet në pikën 6 dhe 7 të nenit 5 të “Dispozitave normative për sistemin arsimor parauniversitar”. Gjithashtu janë reduktuar edhe dokumentet që duhen për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë, nga 5 që janë aktualisht në vetëm dy, njëri prej të cilëve është ai i vaksinave. “Për regjistrimin fëmijës në klasën e parë paraditen këto dokumente: vërtetim i vaksinimeve nga qendra shëndetësore dhe vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtoresha e kopshtit”-thuhet në urdhrin e ministrisë.