Usain Bolt duket i pandalshëm në rrugën e tij drejt futbollit profesionist. Pas shënimit të dy golave që bënë xhiron e botës, atleti që stërvitet me ekipin e Central Coast Mariners, më në fund ka marrë rezultatin e shumëpritur: ofertën e kontratës 2 vjeçare nga klubi.
Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja “The Australian”, sipas së cilës xhamajkani e ka kaluar provën dhe mund të luajë si futbollist profesionist.
Usain Bolt është rekordmen bote në 100 dhe 200 metra në atletikë, sport të cilin e ka braktisur një vit më parë, kur vendosi t’i dedikohet tërësisht futbollit.
Duket se 32-vjeçari nga Xhamajka ia doli mbanë të bëjë realitet ëndrrën e tij dhe të luajë futboll me një ekip profesionist, çka mund t’i hapë dyert në të ardhmen për të luajtur në nivele edhe më të larta, pavarësisht moshës.
Ëndrra e Usain Bolt është që të luajë me Manchester United, skuadrën e tij të zemrës.