Atleti xhamajkan Usain Bolt nuk ka humbur rastin për të kaluar kohën e lirë me disa vallëtare braziliane gjatë kohës që kalon në Olimpiadë. Njeriu më i shpejtë në botë pritet të garojë të shtunën në bateritë eliminatore të 100 metrave, por deri atëherë ai duket se ka gjetur mënyrën për të kaluar kohën e lirë. Bolt ka kërcyer me vajzat braziliane samba, duke argëtuar edhe kolegët e tij xhamajkanë që ndodhen në Olimpiadë.
Por stërvitjen nuk e ka lënë për asnjë moment, madje sot Bolt ka folur edhe për dopingun, duke hedhur akuza të tërthorta drejt atyre që kanë përdorur substance të ndaluara. “Në jetë asnjëherë nuk ështe e sigurt se me kë garon, nëse ai është i pastër apo jo. Për këtë gjë duhet të mendojnë WADA dhe IOC”, tha Bolt.
Por Bolt ka edhe një objektiv, vendosjen e një rekordi të ri botëror në 200 metra. “Është një objektiv që mund ta realizoj, ndaj dhe jam më nervoz kur mendoj për garën e 200 metrave. Në garën e 100 metrave e di se deri ku janë limitet e mia dhe se ku mund të shkoj”, tha Bolt, që mbrëmë ka qenë protagonist i një spektakli vallëzimi në Fshatin Olimpik.