INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ushqimet që ju ndihmojnë të keni një kujtesë të fortë

Ushqimet që ju ndihmojnë të keni një kujtesë të fortë

Publikuar më: 10:33 27-06-2017

Truri është një makineri e fuqishme.

Ai kontrollon çdo gjë: lëvizjet, mendimet, ndjenjat dhe reagimet me një shpejtësi marramendëse. Truri është gjatë gjithë kohës në punë, edhe kur jeni në gjumë. Kjo e bën trurin, organin më energji-dashës në të gjithë organizmin.

Truri zë 2% të peshës së trupit, por ama konsumon më shumë se 20% të kalorive që marrim në ditë. Thënë shkurt, truri ka nevojë për ushqim, por ushqimi duhet të jetë cilësor dhe i denjë për të. Ekspertët e AgroWeb.org rekomandojnë disa ushqime bimore që frymëzojnë, ushqejnë dhe plotësojnë trurin dhe funksionet e tij.

Avokado

Avokado shton qarkullimin e gjakut në tru, ul kolesterolin dhe përmirëson përthithjen e antioksidantëve. Avokado përmban antioksidantë dhe vitaminën E, e cila mbron trurin nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira. Avokado është një burim i mirë kaliumi dhe vitaminë K. Të dyja janë thelbësore kundër goditjes në tru.

Boronica

Boronica është e plotfuqishme falë antioksidantëve që përmban. Këto substanca e mbrojnë trurin nga dëmi oksidues dhe stresi që shkaktojnë plakjen e parakohshme, sëmundja e Alzhaimerit dhe skleroza. Flavonoidët që gjenden tek boronica përmirësojnë komunikimin mes nervave, përmirësojnë kujtesën, aftësinë e të mësuarit, kuptuarit, arsyetuarit, vendimmarrjes, shprehisë dhe aftësisë numerike. Frutat e tjera të pyllit me ngjyrë të errët janë të mira për trurin. Ndër to mund të veçojmë manaferrën dhe kokrrat goxhi.

Brokoli

Brokoli është një ushqim i jashtëzakonshëm për të gjithë trupin. Ai është i pasur me kalcium, vitaminat C dhe B, beta karoten, hekur, fibër dhe vitaminë K. Këto ushqyes e mbrojnë trurin dhe trupin nga radikalet e lira. Ato përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe largojnë metalet e rënda që dëmtojnë trurin.

Çokollata e zezë

Flavonolët që gjenden tek çokollata e zezë përmirësojnë funksionet e enëve të gjakut, të cilat janë thelbësore për funksionet e trurit dhe kujtesën në përgjithësi. Për më tepër, çokollata përmirëson humorin, ul dhimbjet dhe përmban shumë antioksidantë.

Arrat

Arrorët, veçanërisht bajamet dhe arrat, janë tejet të mira për trurin dhe sistemin nervor. Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore Omega-3 dhe Omega-6, vitaminës B6 dhe vitaminës E. Kjo e fundit parandalon disa lloje të sëmundjes së sklerozës, duke e mbrojtur trurin nga radikalet e lira dhe përmirësuar aftësitë e tij.

Rozmarina

Rozmarina përmirëson kujtesën dhe aftësitë e trurit vetëm me aromën e saj. Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut në trup, humorin dhe shërben si një antioksidant. Rozmarina është fantastike në detoksifikimin e trupit, jep energji dhe lufton shenjat e moshës.

Spinaqi

Spinaqi mundet të parandalojë ose vonojë shfaqjen e sklerozës. Ushqyesit që përmban ai, mund të parandalojnë dëmet e shkaktuara në ADN-në tonë, por edhe të ngadalësojnë shenjat e moshës në tru. Spinaqi është një burim i shkëlqyer i folatit dhe vitaminës E.

Farat e lules së diellit

Farat e lules së diellit dhe farat e tjera si ato të kungullit përmbajnë një sasi të lartë proteinash, acidesh yndyrore dhe vitamina B. Këto fara përmbajnë triptofan, të cilin organizmi e transformon në serotoninë, e nevojshme për humor të mirë dhe kundër depresionit. Filizat e njomë të këtyre farave janë akoma më të shëndetshëm.

Domatet

Domatet përmbajnë likopen, një antioksidant i fuqishëm që lufton sklerozën dhe përmirëson humorin.

Drithërat e plota

Drithërat e plota janë të pasura me karbohidrate komplekse, fibër dhe disa acide yndyrore Omega-3, që e mbrojnë zemrën dhe trurin nga dëmet e shkaktuara nga sheqeri, kolesteroli dhe mpiksja e gjakut. Drithërat përmbajnë vitaminë B, që ndikon pozitivisht në qarkullimin e gjakut dhe për një humor të mirë.

Article Logic
Execution time: 0.0032801628112793