Ishte një mbrëmje e shkëlqyer për Barcelonën dhe kjo u pa në fytyrën e trajnerin Ernesto Valverde. Fitorja 4-0 kundër PSV Eindhoven e dërgoi Barcleonën e tij menjëherë në krye të grupit B, pavarësisht se me pikë të barabarta me Interin, por me diferencë më të mirë golash.
“Jam i kënaqur shumë, sidomos me një rezultat si ky që arritëm sonte, 4-0. Sigurisht që na u desh të punonim shumë por kjo është diçka normale në këto nivele. Kundërshtari luajti shumë mirë, me ide të qarta, duke kërkuar të na godiste në kundërsulm. E dinim që do të ishte e vështirë dhe vuajtëm deri sa arritëm të shënonim golin e parë. Por gjithsesi bëmë një ndeshje të mirë. E pas shënimit të golit të dytë ishim më të qetë”, tha trajneri i skuadrës katalanase.
“Kush është ai që nuk motivohet nga Champions League? E dinim rëndësinë që kishte të merrnim tri pikët në ndeshjen e parë të grupit. Në këtë kompeticion gabimet paguhen shtrenjtë”, shtoi ai.
I pyetur për mbrëmjen magjike të superyllit të skuadrës, Leo Messi, Valverde tha: Ai bën gjëra të jashtëzakonshme dhe i bën të duken si rutinë. Sot shënoi tre gola ndërsa me goditjen e dënimit zhbllokoi ndeshjen. Gjuajtja ishte magjike”.
Valverde lavdëroi edhe Ousmane Dembele, goli i të cilit ishte gjithashtu fantastik, edhe pse u eklipsua nga tripleta e Messit. “Ai është në formë të mirë dhe ka një marrëdhënie mjaft të bukur me golin. Po tregon nivel të lartë në vazhdimësi dhe kjo i jep përparësi. Po punon shumë mirë”, tha trajneri spanjoll.