INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Varfëri ekstreme në Tiranë: “Vetëm varri kur të na presë”

Varfëri ekstreme në Tiranë: “Vetëm varri kur të na presë”

Publikuar më: 16:24 27-02-2017

Jemi në Shqipëri, në zonën e Institutit Bujqësor, jo më shumë se 15 minuta larg qendrës së Tiranës. Një zonë e frikshme kur e shikon nga jashtë, por e dhimbshme të shikosh brenda saj varfërinë ekstreme që ka kapluar këto familje, të cilat po luftojnë për mbijetesë.

Të  braktisur në mëshirë të fatit, afërsisht 150 familje jetojnë në 8 godina të shkatërruara, ngjitur me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Gjendja e godinave është e mjerë, tavanet po bien në tokë dhe lagështira ka bllokuar frymëmarrjen e prindërve, fëmijëvë dhe gjyshërve që jetojnë në to. Kanë 2 vite pa energji elektrike, pavarësisht protestave dhe përpjekjeve të bëra nga këto banorë askush nuk e dëgjon zërin e tyre.

I “paralizuar” në krevat,  Idriz Shabanaj nga Tropoja ka 20 vite që jeton këtu së bashku me familjen  e tij. Ata u larguan në 95 nga Tropoja,  për shkak se nuk kishin banesë shteti  i strehoi në këto godina. Bashkëshortja e tij tregon kushtet e vështira të jetesës dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të Idrizit,  të cilin e shoqëron ngado pasi ngrihet në këmbë me vështirësi.“I ka 10 operime në trup, 4 brinë te hequna. Ka 2 vjet që jemi pa drita, e që jetojmë në këto kushte mizerie. Ai mer  117 mijë lekë (të vjetra), ndërsa unë duhet me e marë për krahi sepse nuk ashtë në gjendje me ba asigja. Më ka ardh ambulance natën dhe e kam nxjerrë me qirinj dhe me komshinj tek ambulanca”.

Ndërsa Idrizi rrëfen se pjesën më të madhe të pensionit e çon Ilaçe, por pavrësisht kësaj ai është i gatshëm ti paguajë dritat.” Ma shumë kam ilaçe se kam bukë mrena. Edhe pse kam një pension prej 100 mijë lekësh dritat do i paguaja, nuk jetohet pa drita”, thotë Idrizi.

Përveç problemeve  të shëndetit  dhe banesës,  kjo lagjë është e rrezikshme dhe shpeshherë banorët janë kërcënuar me jetë. “ Vështirësia jonë më e madhe është se kanë ardhë natën e na i kan kërcënu gocat me thika, se vjen uji natën. Ndodh shpesh që të kemi thyerje banesë, kërcënime te kalamajtë. Katin e pestë e kanë bë gërmadhe”, shprehen banorët.

Ndërsa një tjetër banore Alma,  jeton në një dhomë të shkatërruar së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin. Në këtë dhomë mungon uji, dritat  dhe  çdo gjë tjetër minimale për të mbijetuar. “Kam hyrë borxh si lej fëmijët pa bukë. Nëse na dëbojnë do rrimë rrugëve”. 

Shqetësimi më i madh i Almës janë fëmijët e saj, të cilët ndihen të diskriminuar nga shoqëria në shkollë, “ Kur i shikojnë i ofendojnë, ju jeni pabuksa , ju rrini në godinë”.  Shpresa  që një ditë fëmijët e saj jetojnë si gjithë të tjerët, ka humbur për Almën. “Se kur do vijë ajo ditë për ne, vetëm varri kur të na presi. Për ne kjo është shpresa e fundit”, shprehet me lot në sy zonja që është lodhur nga kjo jetë e mjeruar.

Ankthi  i tyre është shtuar më shumë  pasi ato janë njoftuar se do dëbohen nga këto banesa të cilat i përkasin shtetit, por nuk kanë askund ku të shkojnë. “Ktu kemi mbet ne hallexhijnë , fukarenjtë dhe pabuksat, nuk kemi ku të shkojmë”. Ata kanë protestuar dhe kërkuar ndihmë në çdo institucion por asnjë nuk ka marë përsipër ti ndihmojë këto familje. Disa vjet më parë në këto fodina jetonin 800 familje. Tani kanë mbetur 150… kush ka mundur ka gjetur një tjetër strehë.

 

 

bh_jkj.jpg

ghjn_jh.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0036351680755615