Bashkia e Tiranës është në përfundim të punimeve për rehabilitimin e brendshëm të varrezave. Mësohet se bashkia po punon që përveç ndërtimit të infrastrukturës së re, po punohet dhe për shtimin e parcelave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, njoftoi se në këto gjashtë muaj administrata e re ka ecur me ritme të shpejta për të investuar e rehabilituar varrezat e kryeqytetit. Por zgjidhja për këtë çështje sipas kryebashkiakut janë varrezat murale, për të cilën është paraqitur dhe një projekt.
“Për varrezat e Tiranës do të kemi edhe disa investime të tjera, si projekti për varrezat murale. Fillimisht do të nisim me sistemimin e varreve të braktisura, këtu e pesëdhjetë vite më parë, në mënyrë që edhe qytetarët të njihen me këtë proces njerëzor, i cili funksionon në të gjithë botën dhe kursen hapësirat publike”.
Ai shtoi gjithashtu se po ecet shumë shpejt edhe me çështjen e shpronësimeve në varrezat e Tufinës.