Transferimi i Kristiano Ronaldos te Juventusi ka rihapur një garë interesante për bardhezinjtë që janë prej vitesh në kërkim të fronit europian, por në aspektin personal ka hapur edhe një sfidë për titullin e golashënuesit më të mirë në Serinë A.
Nëse deri vjet kjo çështje ka qenë një duel mes Mauro Ikardit të Interit dhe Çiro Imobiles së Lacios, pa harruar këtu edhe Gonzalo Higuainin që sivjet ka kaluar te Milani, sigurisht që mbërritja e portugezit e ndez edhe më shumë duelin për “Këpucën e Artë” të Serisë A, por ndoshta edhe të asaj europiane.
Por, ndërsa të gjithë presin të kuptojnë sesi do të shkojë në fushë e gjithë kjo “luftë” mes këtyre goleadorëve, janë bastexhinjtë ata që janë të sigurt mbi një dominim të 33-vjeçarit të Juventusit edhe në sezonin e tij të parë mes skuadrave më të mira italiane.
Kristiano Ronaldo kuotohet nga kompanitë e basteve me koeficientin 1.8 mbi fitimin e trofeut të goleadorit më të mirë, i ndjekur nga interisti Mauro Ikardi (29 gola në sezonin e kaluar në kampionat), i cili kuotohet me koeficientin 2.6.