INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vdekja në burg e aktivistit të Vetëvendosjes, reagojnë zyrtarët e lartë në vend [FOTO]

Vdekja në burg e aktivistit të Vetëvendosjes, reagojnë zyrtarët e lartë në vend [FOTO]

Publikuar më: 11:54 06-11-2016

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Prizren, ku në burgun e këtij qyteti ka ndërrur jetë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Ngjarje e cila ka ngjallur shumë reagime nga shumë qytetarë dhe zyrtarë të institucioneve më të larta në vend.  Në një komunikatë për media Ministria e Drejtësisë njoftoi se kanë nisur hetimet nga prokuroria dhe mjekësia ligjore në lidhje me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.

Vetëvendosje thotë se ka pasur deklarata kontradiktore të organeve të shtetit lidhur me këtë rast. Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vdekja e Deharit të zbardhet nga institucionet e vendit. Lëvizja Vetëvendosje bën  përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se fajtorët e vdekjës së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, do të japin përgjegjësi për rastin në fjalë. Ahmeti e ka cilësuar si “njeri të mirë e të palodhshëm” Astrit Deharin.

Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se kryeparlamentari Veseli kërkon nga institucionet përkatëse të ligjit që në mënyrë urgjente të sqarojnë në tërësi dhe në detaje këtë rast, në mënyrë që dhimbja e rëndë familjare dhe shqetësimi i publikut të mos manipulohen.

Njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Naim Maloku ka folur për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari. Maloku thotë se është një rast tragjik si për familjen ashtu edhe për qeverinë e Kosovës, marrë parasysh që rasti ka ndodh në institucionet shtetërore. Sipas Malokut, nuk është mirë që vdekja tragjike e Deharit të keqpërdoret për motive politike.

Reagim ka pasur edhe nga Unioni i Studentëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që sa më shpejt të sqarohen rrethanat e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, që ndërroi jetë në Burgun e Prizrenit.

 “Në emër të studentëve të Republikës së Kosovës shprehim ngushëllimet të sinqerta familjes Dehari për vdekjen e djalit të tyre Astritit. Ngushëllime shoqërisë dhe gjithë atyre që e njohën studentin, kolegun Astrit Dehari”, thuhet në komunikatë. Dehari ishte në përfundim të studimeve në Mjekësinë e Përgjithshme.

Pas vdekjes tragjike të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka reaguar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Vdekja e Astrit Deharit, një aktivisti politik, në një burg në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vdekjes, është një ngjarje e trishtë për të gjithë ne, edhe si politikë edhe si shtet!

Kemi mundur të kishim bërë më shumë për Astrit Deharin dhe shumë bashkëmoshatarë të tij, të cilët po shohin gjithnjë e më pak shpresë në këtë vend! Shteti duhet të japë përgjigje për çfarë ndodhi sot në Prizren.

Në këto momente dhimbjeje për familjen, miqtë dhe kolegët e tij në Vetëvendosje, në emrin tim dhe të kolegëve të mi në AAK, ngushëllimet më të sinqerta!”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, pavarësisht rrethanave të vdekjes, personat më të trishtuar janë padyshim familja e tij, dhe Prokuroria e Prizrenit është duke shqyrtuar kërkesën e Familjes Dehari, që autopsia e djalit të tyre të vdekur në burgun e Prizrenit, të bëhet në prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga vet familja.

Kjo kërkesë e familjes Dehari erdhi pasi ata thonë se për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, kanë arsye të mos besojnë plotësisht në institucionet shtetërore.

Article Logic
Execution time: 0.0040488243103027