Ditën e sotme është ndarë nga jeta regjisori i njohur shqiptar, Gjergj Xhuvani. Xhuvani ka ndërruar jetë në një spital të Romës, në moshën 56 vjeçare.
Regjisori ka vuajtur prej kohësh nga diabeti dhe mëngjesin e sotëm ka pësuar një arrest kardiak.
Xhuvani prej disa ditësh ndodhej në Romë duke xhiruar filmin e ri ‘Liqeni im’, një bashkëproduksion italiano-shqiptar, shkruan NewsBomb.
Bashkëshortja e tij, aktorja Luiza Xhuvani me vajzën kanë qenë në bregdetin e Sarandës me pushime teksa kanë mësuar lajmin e hidhur. Me urgjencë nënë e bijë të tronditura janë nisur drejt Tiranës për t’u marrë menjëherë me proceduarat.
Ndarja nga jeta e regjisorit Xhuvani është një humbje e madhe për kinematografinë në Shqipëri dhe jo vetëm.
Ai lindi në vitin 1963 në Tiranë dhe në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë dega Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.